United Nations Development Programme (UNDP) dhe Bashkia Mirditë kanë zhvilluar takimin e parë zyrtar për nisjen e procesit të hartimit të Planit Social të Bashkisë Mirditë për periudhën 2027–2029.

Takimi u fokusua në forcimin e politikave sociale në nivel vendor dhe në identifikimin e nevojave më emergjente të komunitetit.
Sipas përfaqësuesve të bashkisë dhe ekspertëve të UNDP-së, plani i ri synon të krijojë mekanizma më efikasë për mbështetjen e qytetarëve, me vëmendje të veçantë ndaj grupeve më vulnerabël.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u bë e ditur se falë partneritetit me UNDP-në do të përshtatet një qendër për të moshuarit në Rubik.
Qendra pritet të ofrojë shërbime të dedikuara për të moshuarit, duke synuar përmirësimin e kushteve sociale dhe rritjen e kujdesit për këtë kategori.
Këto ndërhyrje do të realizohen në kuadër të projektit Leave No One Behind, i cili synon të garantojë që askush të mos mbetet i përjashtuar nga të drejtat, shërbimet publike dhe mundësitë për zhvillim.
Përfaqësuesit e institucioneve e konsideruan këtë nismë një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave sociale më gjithëpërfshirëse dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët e Mirditës.


0 Comments