Delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Vendore vizitë monitorimi në Bashkinë Mirditë.

Më datë 18 Nëntor 2025, Delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Evropës zhvilloi një vizitë monitorimi në Bashkinë Mirditë, në kuadër të procesit të vlerësimit të zbatimit të angazhimeve të vendeve anëtare ndaj Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.
Delegacioni u drejtua nga Z. Anders Knape (Suedia) dhe Z. Sören Schumacher (Gjermania), të shoqëruar nga përfaqësuesja e Sekretariatit të Kongresit, znj. Svitlana Pereverten, si dhe Prof. Zoltán Szente, ekspert i pavarur i Kartës së Vetëqeverisjes Vendore.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Mirditë, Z. Albert Melyshi, u diskutuan çështje kyçe që lidhen me funksionimin e pushtetit vendor, përfshirë:
– autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore,
– çështjet e decentralizimit financiar,
– ndërhyrjet në kompetencat e bashkive,
– sfidat në funksionimin efektiv të institucioneve vendore.
Kryetari i Bashkisë Mirditë paraqiti shqetësimet kryesore të bashkisë duke theksuar nevojën për rritjen e mbështetjes nga niveli qendror dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim garantimin e një funksionimi të qëndrueshëm dhe efektiv të vetëqeverisjes vendore.
Pas përfundimit të të gjitha vizitave monitoruese në Shqipëri, do të përgatitet një Raport dhe një Rekomandim zyrtar për Shqipërinë, të cilat do t’i paraqiten për shqyrtim dhe miratim Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Evropës në sesionet e radhës.

0 Comments