Takim me fermerët e Mirditës për bashkëpunimin me Madeo Group.

Në ambientet e Bashkisë Mirditë, më 27 janar 2026, u zhvillua takimi i radhës me fermerët e zonës, të interesuar për bashkëpunimin me kompaninë italiane Madeo Group.
Ky takim vjen në vazhdimësi të takimeve dhe diskutimeve të vazhdueshme të Bashkisë Mirditë, me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe krijimin e mundësive të reja për fermerët dhe bizneset e zonës.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, së bashku me përfaqësuesit e Madeo Group, znj. Anna Madeo dhe z. Ernesto Madeo, zhvilluan një diskutim të hapur me fermerët mbi hapat praktikë dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit të ardhshëm.
“Aktivizimi i potencialit bujqësor dhe blegtoral është një prioritet për zhvillimin ekonomik të zonës.
Bashkia Mirditë është e angazhuar të krijojë mundësi të reja për fermerët tanë dhe të nxisë investime që sjellin zhvillim të qëndrueshëm,” – u shpreh kryetari i bashkisë, z. Melyshi.
Nga ana e saj, znj. Anna Madeo rikonfirmoi gatishmërinë e Madeo Group për një bashkëpunim afatgjatë dhe konkret me fermerët, veçanërisht në fushat e rritjes së derrit, përpunimit të mishit dhe kultivimit të specave.
Gjatë takimit, fermerët patën mundësinë të prezantonin aktivitetet e tyre dhe të njiheshin më nga afër me modelin e bashkëpunimit të Madeo Group.
Të gjithë fermerët e interesuar për t’u bërë pjesë e kësaj nisme mund të paraqiten pranë Bashkisë Mirditë për të plotësuar kërkesën për shprehje interesi.

0 Comments