Një hap historik për Mirditën: Komuniteti i parë energjetik është drejt realizimit.

Në kuadër të projektit EFFORT, u zhvillua aktiviteti “Ti Je Energjia e Mirditës”, një iniciativë që synon rritjen e efikasitetit energjetik dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme në ndërtesat publike.
Në takimin konsultativ të mbajtur në Bashkinë Mirditë morën pjesë përfaqësues të Komunës Junik, organizatës Co-PLAN, drejtues institucionesh arsimore dhe aktorë të tjerë lokalë.
Pjesëmarrësit u njohën me hapat konkretë të projektit, i cili është drejt përfundimit të fazës fizike dhe teknike dhe do të zbatohet në disa godina publike të Bashkisë Mirditë. Hapi i radhës është faza e tenderimit, që do të mundësojë zbatimin konkret të masave energjetike.
Aktiviteti vijoi në Shkollën 9 vjeçare “Pashko Vasa”, ku nxënësit prezantuan esetë me temën “Unë jam energjia e Mirditës” dhe ekspozitën kreative “Ngjyrosim të ardhmen”, duke përcjellë mesazhe të forta mbi rëndësinë e energjisë së pastër dhe një të ardhmeje të gjelbër.
Ky projekt vendos themelet e një modeli të ri zhvillimi për Mirditën, duke sjellë kursim, qëndrueshmëri dhe më shumë pavarësi energjetike për komunitetin.
Projekti EFFORT zbatohet nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik në Kosovë dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, me financim të Bashkimit Evropian përmes Programit Ndërkufitar IPA Shqipëri–Kosovë.

0 Comments