Kardinali Ernest Simoni Troshani kremtoi Meshën e Shenjtë në ish-burgun e Spaçit.
Kardinali Ernest Simoni Troshani kremtoi këtë të premte Meshën e Shenjtë në ish-burgun e Spaçit, vendin ku vuajti 18 vite burg gjatë regjimit komunist.
Rikthimi i tij në Spaç ishte një moment i mbushur me simbolikë. Në vendin e vuajtjeve, ai u kthye për të falënderuar Zotin dhe për të dëshmuar se besimi është më i fortë se persekutimi.
Në Meshë morën pjesë besimtarë, ish-të burgosur politikë, të përndjekur, klerikë, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë. Ata u bashkuan në lutje për të kujtuar viktimat e diktaturës komuniste.
Gjatë kremtimit të Meshës së Shenjtë, Kardinali Ernest Simoni Troshani përcolli një mesazh për falje, paqe dhe shpresë, duke theksuar se e vërteta duhet mbrojtur pa frikë dhe se urrejtja nuk duhet të zërë vend në zemrat e njerëzve.
Kryetari i Bashkisë Mirditë z. Albert Melyshi u shpreh se është një emocion i veçantë të mirëpresim në Spaç Kardinalin Ernest Simon Troshani, i cili rikthehet në këto troje të vuajtjes, dhimbjes dhe sakrificës, tashmë si Kardinal.
Një moment i veçantë ishte letra që Papa Leoni XIV i dërgoi Kardinalit Ernest Simoni Troshani.
Ati i Shenjtë u bashkua shpirtërisht me kremtimin dhe e cilësoi Spaçin si një nga vendet më të dhimbshme të historisë së Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, Papa shkroi se asnjë zinxhir nuk mund të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli. Ai u lut për të gjithë ata që vuajtën dhe humbën jetën në Spaç.
Gjithashtu, u bëri thirrje brezave të rinj të ruajnë kujtesën historike dhe të mbrojnë lirinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen. Në përfundim të letrës, Papa Leoni XIV i dha Kardinalit Ernest Simoni Troshani dhe të gjithë pjesëmarrësve Bekimin Apostolik.







0 Comments