Bashkia Mirditë zyrtarizon marrëveshjen e binjakëzimit me Komunën Nova Rača Kroaci.
Bashkia Mirditë ka zyrtarizuar marrëveshjen e binjakëzimit me Komunën Nova Rača, Kroaci, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Mëlyshi, dhe Kryetari i Komunës Nova Rača, z. Darko Knežić, në praninë e Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Kroaci znj. Donika Hoxha , e cila përshëndeti këtë iniciativë si një model të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, si zhvillimi lokal, bujqësia, turizmi, kultura, arsimi, rinia, mbrojtja e trashëgimisë kulturore.
Kroacia është vendi i fundit që u anëtarësua në Bashkimin Evropian më 1 korrik 2013.
Në këtë kuadër, partneriteti me Komunën Nova Rača merr një rëndësi të veçantë, pasi krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave në qeverisjen vendore, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe përfitimin nga programet e Bashkimit Evropian.




0 Comments