Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Bashkia Mirditë fituese në thirrjen e programit ReLOaD3!

Bashkia Mirditë është shpallur fituese në thirrjen e programit ReLOaD3, të financuar nga Bashkimi Evropian 🇪🇺 dhe të zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

ReLOaD3 synon të forcojë demokracinë vendore përmes bashkëpunimit të pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile, duke rritur njëkohësisht pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Përfitimet për Bashkinë Mirditë përfshijnë:
• Rritje të kapaciteteve institucionale.
• Asistencë teknike nga ekspertë të programit.
• Mbështetje financiare për nxitjen e partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve publike duke u bazuar në prioritetet vendore.

Ky projekt do të sjellë përfitime konkrete për komunitetin, nëpërmjet bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile.

Moment historik për speleologjinë shqiptare – Mirdita shkëlqen me pasuritë e saj natyrore!

Më 11 korrik 2025, një ekip speleologësh realizoi një eksplorim nënujor në shpellën “Kusia e Nue Gjonit” në Kurbnesh, duke zbuluar lidhjen midis dy liqeneve të brendshme dhe arritur një thellësi prej 11 metrash.

Nën drejtimin e speleologëve Roland Doja dhe Alket Camaj, ekspedita u zhvillua me pjesëmarrjen e zhytësve, studiuesve, përfaqësuesve të Info-Kullës dhe të rinjve pasionantë, duke theksuar rëndësinë turistike dhe shkencore të shpellës.

Kjo ekspeditë shënon një hap të rëndësishëm për speleologjinë dhe kërkimin shkencor në Shqipëri – duke vendosur Mirditën si një pikë referimi për natyrën, aventurën dhe zbulimet e reja.

Kampi veror “Mirdita Vizion 2025”

U mbyll me sukses kampi veror dyjavor “Mirdita Vizion 2025”, një hapësirë e rëndësishme zhvillimi, energjie dhe gëzimi për 85 fëmijë.
Ceremonia përmbyllëse u kurorëzua me ndarjen e çertifikatave, ku e pranishme ishte dhe Znj. Nora Malaj, e cila përçoi mesazhe edukuese dhe frymëzuese për fëmijët.

Mirënjohje për stafin e VIZION OJF dhe QKF-Mirditë për përkushtimin, energjinë dhe organizimin.

Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar në Mirditë.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, mirëpriti sot përfaqësuesit e Muzeut Historik Kombëtar në Mirditë.

Gjatë takimit u diskutua për nevojën që Bashkia Mirditë ka për të promovuar pasurinë historike të zonës dhe për të përmirësuar Muzeun Historik të Mirditës.

Ekipi i njësisë së edukimit të Muzeut Historik Kombëtar, i udhëhequr nga Drejtoresha znj. Elenita Roshi, zhvilloi një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese me fëmijët e qytetit të Rrëshenit, të cilat kulmuan me hapjen e ekspozitës fotografike “Thesaret e Muzeut”.
Kjo ekspozitë solli para tyre disa nga objektet më të çmuara të koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, i falënderoi përfaqësuesit e Muzeut për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e këtyre iniciativave që fuqizojnë njohuritë historike dhe kulturore tek brezat e rinj.

Ekspozita fotografike: “Personalitete historike nga Mirdita”.

Me datë 25 qershor në hollin e Bashkisë Mirditë, u organizua ekspozita fotografike me titull: “Personalitete historike nga Mirdita”.

Në këtë ekspozitë u prezantuan fotografi të personaliteteve të shquara mirditore, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e Mirditës dhe në trashëgiminë tonë kombëtare.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, u shpreh se këto personalitete përfaqësojnë vlerat më të mira të vendit dhe janë një shembull frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe fotografitë e tyre do të vendosen në ambientet e Bashkisë Mirditë, si një vlerësim dhe kujtesë e përhershme për kontributin e tyre .

Kjo ekspozitë shërben si një kujtesë vizuale e trashëgimisë së pasur që mbart Mirdita dhe një nxitje për të ruajtur e promovuar më tej vlerat tona historike e kulturore.