Bashkia Mirditë binjakëzim me Komunën San Cosmo Albanese.

Kryetari i Bashkisë Mirditë Z. Albert Melyshi ka udhëtuar drejt rajonit të Kalabrisë, duke vizituar Komunitetin Arbëreshë në Itali.
Të shpërngulur dhe të vendosur në mesjetë në zonën e Kalabrisë nga trojet shqiptare, arbëreshët kanë ruajtur dhe trashëguar gjuhën, zakonet dhe traditat e të parëve siç ka bërë dhe Mirdita ndër shekuj.
Arbëreshi Terenzo Tocci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e kombit tonë, ku me 26 prill të vitit 1911, në Kuvendin Ndërkrahinor të Fanit u deklarua vullneti i shqiptarëve, për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe rezultati i këtij kuvendi ishte krijimi i Qeverisë së Përkohshme të Kimzës.
Me datë 27.09.2024, u nënshkrua marrëveshja e binjakëzimit ndërmjet Bashkisë Mirditë dhe Komunës San Cosmo Albanese, një ngjarje e rëndësishme që forcon lidhjet mes dy komuniteteve.
Marrëveshja thekson potencialin për bashkëpunim në sektorët e historisë, ekonomisë, arsimit, produkteve tipike dhe peizazhit, duke ofruar mundësi të reja për zhvillim në turizëm, ekonomi, si dhe në fushat sociale dhe kulturore.
Gjatë takimeve, përfaqësuesit e dy bashkive diskutuan mbi iniciativat e përbashkëta që do të nxisin shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e rrugës për projekte që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.
Mirënjohje ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Begaj dhe miqve të Mirditës që ndihmojnë në bashkëpunime të tilla të frytshme, që synojnë lartësimin e traditave atdhetare dhe zhvillimet kulturore bashkëkohore me Arbëreshët.









Vlerat shoqërore dhe kulturore si dhe elementet tradicionalë e kanë bashkuar ndër shekuj Shqipërinë me komunitetin e saj Arbëresh në Itali, ku ndër të tjera, vlen të përmendet dhe kontributi i Arbëreshit Terenzo Tocci në Kuvendin Ndërkrahinor të Fanit, të datës 26 prill të vitit 1911 ku u deklarua vullneti i shqiptarëve për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe rezultati i këtij kuvendi ishte krijimi i Qeverisë së Përkohshme të Kimzës.
Nën moton “ Bashkë jemi më të fortë” palët shprehën angazhimin maksimal që elementët përbashkues si historia , natyra, tradita dhe kultura të përkthehen në zhvillim ekonomiko-social të të dy komuniteteve.




























