Zhvillimi dhe promovimi i turizmit në Mirditë
Bashkia Mirditë në bashkëpunim me Unionin Mirdita organizoi një tryezë të përbashkët diskutimi me bizneset vendase, operatorë turistikë, OJF dhe individë të tjerë që operojnë në fushën e turizmit.
Qëllimi i takimit ishte ndarja e mendimeve dhe sugjerimeve se si të gjithë bashkë të mund të bashkëpunojmë për zhvillimin e qëndrueshëm turistik të Mirditës.
Mirësevjen në Mirditë – Welcome to Mirdita është projekti që do të realizohet së shpejti me iniciativën e bashkisë Mirditë në bashkëpunim me aktore të tjerë lokal dhe rajonal.
Faza e parë e këtij projekti do të jetë identifikimi i të gjitha vendeve që kanë potencial turistik, për të vijuar me tej me vendosjen e tabelave orientuese në çdo zonë dhe krijimin e një faqeje web me informacion të saktë dhe gjithëpërfshirës për të gjitha bukuritë e rralla natyrore, vlerat historike, kulturore dhe strukturat akomoduese që Mirdita ofron.
Të njohur ndër vite për bujarinë dhe mikëpritjen, edhe motoja e zhvillimit të turizmit në Mirditë është dhe do të jetë:
– “Eja si turist dhe largohu si mik”!