Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Month: May 2024

Vizita Zyrtare e Presidentit të Republikës së Shqipërisë SH. T. Z. Bajram Begaj në Mirditë.

Me datë 16.05.2024 Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Mirditë.

Ndalesa e parë ishte Bashkia Mirditë ku u prit nga Kryetari i Bashkisë Z. Albert Melyshi.

Bashkë me përfaqësues të institucioneve, sipërmarrës, klerikë e banorë të kësaj zone gjatë vizitës, u diskutua mbi problematikat që shqetësojnë sot qytetarët, si dhe mundësitë për zhvillimin e Mirditës.

Z. Begaj e konsideroi Mirditën, si nyje komunikimi jo vetëm me Shkodrën e Lezhën, por dhe me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. “Mirdita është një pasuri e Shqipërisë, për shkak të historisë, kulturës, trashëgimisë, jo vetëm historike, kulturore e sociale, por edhe asaj shpirtërore”.
Vizita vijoi në Pallatin e Kulturës Rrëshen, me Muzeun Etnografik dhe Muzeun e Bandës Frymore, ku artistët dhe fëmijët e QKF-së përshëndetën me pjesë muzikore.
Gjithashtu, u zhvillua një bisedë me gratë artizane të zonës, për trashëgimin e traditës së veshjeve te brezat e rinj.

Vizita vijoi në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, që përgatit nxënësit në profesione si: elektricistë, hidraulikë, saldatorë, infermierë, hotelierë.
Gjatë vizitës u ndalën dhe te Kantina Arbëri e cila përfaqëson më së miri traditën e hershme të trevës së Mirditës në kultivimin e vreshtit dhe prodhimin e verës, për të vijuar më tej me InfoKullën, si qendër promovimi të Mirditës.


Kreu i shtetit vizitoi dhe Kishën e t’Shëlbuemit Rubik, pikturën e së cilës para pak ditësh ia dhuroi Papa Françeskut në Vatikan.
Sipas tij, kjo trevë duhet të përfshihet në paketën e turizmit patriotiko-fetar-historik. “Nëse ka një vend në Shqipëri, ku ne mund të bëjmë një turizëm të lidhur me religjionin, me pasurinë e kishave, është Mirdita”, – u shpreh Presidenti sipas së cilit, mirditorët kanë çfarë t’u tregojnë shqiptarëve dhe botës përmes promovimit të historisë.
Kryetari i Bashkisë Z. Albert Melyshi e falenderoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë Z. Begaj për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar Bashkinë Mirditë në adresimin e problemeve, si dhe lobimit për projekte që do të sjellin zhvillimin që Mirdita meriton.

Kupa “Arjana Arapi”

Bashkia Mirditë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit, me datë 12 maj 2024, organizoi në pallatin e sportit të qytetit Rrëshen, Kupën “Arjana Arapi” me pjesëmarrjen e ekipeve U-16 të Dinamos, Club Albania, Farka Volley dhe Mirdita.
Kupa u organizua për nder të së ndjerës ish-volejbollistes “Arjana Arapi” e cila u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme.
Pjesëmarrës në aktivitet ishin sportdashës mirditorë, prindër të fëmijëve, ish-volejbollistë, biznesmenë, kryetarë të bashkive, deputetë, ish-presidentë të ekipit Minatori, si dhe kryesia e FSHV-së.
Në emër të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Z. Erlind Pëllumbi, vlerësoi me mirënjohje për kontributin në sportin e volejbollit:
● Gjyste Përbasha
● Valbona Arapi
● Marte Reci
● Majlinda Hamitaj
● Mark Kolaj

Trofeun “Kupa Arjana Arapi”, e dha Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Z. Albert Melyshi për ekipin fitues të Club Albania.
Gjithashtu kryetari i bashkisë shpërndau, Çertifikata Mirënjohjeje për ish-trajnerë, ish-lojtarë dhe ish-presidentë të Ekipit Minatori:
1. Haki Halili
2. Preng Toma
3. Jorxhi Koçuli
4. Rake Loci
5. Lumturie Nika Gjoka
6. Arjana Arapi
7. Vitore Gjoni (Tusha)
8. Lindita Hoxha
9. Pranvera Luca
10. Loreta Nika
11. Dalina Kolaj
12. Pashk Biba
13. Muhamed Troplini
14. Fran Kaçorri

Zhvillimi dhe promovimi i turizmit në Mirditë

Bashkia Mirditë në bashkëpunim me Unionin Mirdita organizoi një tryezë të përbashkët diskutimi me bizneset vendase, operatorë turistikë, OJF dhe individë të tjerë që operojnë në fushën e turizmit.
Qëllimi i takimit ishte ndarja e mendimeve dhe sugjerimeve se si të gjithë bashkë të mund të bashkëpunojmë për zhvillimin e qëndrueshëm turistik të Mirditës.
Mirësevjen në Mirditë – Welcome to Mirdita është projekti që do të realizohet së shpejti me iniciativën e bashkisë Mirditë në bashkëpunim me aktore të tjerë lokal dhe rajonal.

Faza e parë e këtij projekti do të jetë identifikimi i të gjitha vendeve që kanë potencial turistik, për të vijuar me tej me vendosjen e tabelave orientuese në çdo zonë dhe krijimin e një faqeje web me informacion të saktë dhe gjithëpërfshirës për të gjitha bukuritë e rralla natyrore, vlerat historike, kulturore dhe strukturat akomoduese që Mirdita ofron.
Të njohur ndër vite për bujarinë dhe mikëpritjen, edhe motoja e zhvillimit të turizmit në Mirditë është dhe do të jetë:
– “Eja si turist dhe largohu si mik”!