Në datat 17 – 18 tetor 2025, në kuadër të projektit “Mirdita–Junik”, u zhvilluan aktivitetet festive “Festo n’Mirditë”, të cilat sollën gjallëri, kulturë dhe traditë në disa zona të Mirditës.
Aktivitetet nisën me hapjen e panairit të artizanëve në sheshin “Abat Doçi” në Rrëshen, ku artizanë vendas ekspozuan produkte tradicionale e punime artistike.
Në orët e pasdites, vizitorët u drejtuan drejt fshatit Domgjon, ku vizituan Gurrën e Domgjonit, Monument Kulture i Kategorisë së I-rë, një ujësjellës unik që dëshmon mjeshtërinë tradicionale të përpunimit të gurit nga brezat e kaluar.
Mbrëmja u mbyll me një koncert festiv, që solli atmosferë gëzimi dhe bashkimi për banorët dhe vizitorët.
Dita e dytë vijoi me vizitë në panairin e artizanëve, ndjekur nga një aktivitet në ish- Burgun e Spaçit, organizuar nga Shoqata “Tek Bunkeri”, ku të pranishmit patën mundësinë të njihen me një tjetër dimension të së kaluarës sonë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.”
Pasdite, pjesëmarrësit vizituan Kishën e Rubikut, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore në Mirditë, ndërsa aktivitetet u mbyllën me një koncert recital nga artistët e Musica Nova Ensemble pranë Infokullës Rubik.
Aktivitetet u mbështetën nga Bashkimi Evropian, përmes programit IPA CBC Shqipëri–Kosovë, dhe u zbatuan nga CHwB Kosovë, Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Qendra UET.
Projekti synon të krijojë një infrastrukturë turistike të qëndrueshme në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke promovuar atraksionet kulturore dhe natyrore, dhe duke sjellë përfitime ekonomike dhe sociale për komunitetet lokale.