Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Festo n’Mirditë

Në datat 17 – 18 tetor 2025, në kuadër të projektit “Mirdita–Junik”, u zhvilluan aktivitetet festive “Festo n’Mirditë”, të cilat sollën gjallëri, kulturë dhe traditë në disa zona të Mirditës.

Aktivitetet nisën me hapjen e panairit të artizanëve në sheshin “Abat Doçi” në Rrëshen, ku artizanë vendas ekspozuan produkte tradicionale e punime artistike.

Në orët e pasdites, vizitorët u drejtuan drejt fshatit Domgjon, ku vizituan Gurrën e Domgjonit, Monument Kulture i Kategorisë së I-rë, një ujësjellës unik që dëshmon mjeshtërinë tradicionale të përpunimit të gurit nga brezat e kaluar.

Mbrëmja u mbyll me një koncert festiv, që solli atmosferë gëzimi dhe bashkimi për banorët dhe vizitorët.

Dita e dytë vijoi me vizitë në panairin e artizanëve, ndjekur nga një aktivitet në ish- Burgun e Spaçit, organizuar nga Shoqata “Tek Bunkeri”, ku të pranishmit patën mundësinë të njihen me një tjetër dimension të së kaluarës sonë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.”

Pasdite, pjesëmarrësit vizituan Kishën e Rubikut, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore në Mirditë, ndërsa aktivitetet u mbyllën me një koncert recital nga artistët e Musica Nova Ensemble pranë Infokullës Rubik.

Aktivitetet u mbështetën nga Bashkimi Evropian, përmes programit IPA CBC Shqipëri–Kosovë, dhe u zbatuan nga CHwB Kosovë, Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Qendra UET.

Projekti synon të krijojë një infrastrukturë turistike të qëndrueshme në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke promovuar atraksionet kulturore dhe natyrore, dhe duke sjellë përfitime ekonomike dhe sociale për komunitetet lokale.

Tetori Rozë – Muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit

Tetori është muaji që na fton të ndalojmë për një moment dhe të kujtojmë një të vërtetë të rëndësishme: kontrolli dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë.

Gratë dhe vajzat janë themeli i shoqërisë sonë.

Në këtë muaj ndërgjegjësimi, të gjithë ne mund të bëjmë një hap të vogël me një ndikim të madh: të nxisim kontrollin periodik, të informojmë dhe të mbështesim të gjitha ato që po përballen me këtë sfidë.

Kontrolli shpëton jetë, bëje për vete, bëje për ata që të duan. Bëje për shoqërinë tonë.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mirditë, Aleancën e Këshilltareve Bashkiake Mirditë, ZVAP Mirditë, Vizion Ojf, Mary Ward Loreto dhe Opportunity, Balance & Overcoming.

#TetoriRoze #KontrolliShpëtonJetë #DiagnostikimiIHershëm

 

Një ndër prioritetet kryesore të Bashkisë Mirditë mbetet mbështetja për zhvillimin e bujqësisë.

Gjatë këtij viti u realizua blerja dhe shpërndarja e tubave vaditës në të gjitha njësitë administrative, me synim lehtësimin e procesit të vaditjes dhe rritjen e prodhimit bujqësor.

Plani i shpërndarjes u hartua mbi bazën e kërkesave të paraqitura nga njësitë administrative, duke përcaktuar sasitë dhe llojet e tubave të nevojshëm:
• Nj.A. Rrëshen – 6 220 ml
• Nj.A. Rubik – 4 600 ml
• Nj.A. Selitë – 792 ml
• Nj.A. Kthellë – 796 ml
• Nj.A. Orosh – 772 ml
• Nj.A. Fan – 3 500 ml
• Nj.A. Kaçinar – 328 ml

Falënderojmë banorët për bashkëpunimin e treguar, si në procesin e shpërndarjes, ashtu edhe në vendosjen e tyre menjëherë në funksion të vaditjes së tokave bujqësore.

Mirdita hap dyer të reja bashkëpunimi në Europë – Binjakëzohet me Bashkinë e Pezinokut në Sllovaki.

Mirdita hap dyer të reja bashkëpunimi në Europë – Binjakëzohet me Bashkinë e Pezinokut në Sllovaki.

Më 19 shtator 2025, Bashkia Mirditë hodhi një hap të ri në forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit duke u binjakëzuar me Bashkinë e Pezinokut në Sllovaki.

Ceremonia solemne u zhvillua në qytetin e Pezinokut, ku kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, dhe homologu i tij sllovak, z. Roman Mács, nënshkruan Memorandumin e Binjakëzimit në prani të personaliteteve të larta diplomatike.

Në këtë event morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Sllovaki, z. Arten Hanku, Ambasadori i Sllovakisë në Shqipëri, z. Albin Otruba, si dhe Presidenti i Rajonit të Bratislavës, z. Juraj Droba.

Ky binjakëzim, i cili u kurorëzua me mbështetjen e Ambasadës sonë në Sllovaki dhe asaj Sllovake në Tiranë, do të sjellë më afër komunitetet e Bashkive respektive në promovimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme, përfshirë zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe ruajtjen e traditave folklorike.

Marrëveshja e bashkëpunimit është e dyta për Bashkinë Mirditë brenda këtij viti, duke dëshmuar përkushtimin ndaj zhvillimit dhe bashkëpunimit.

Së shpejti pritet finalizimi i një marrëveshjeje tjetër, ndërsa binjakëzimet e reja krijojnë mundësi për aplikime të përbashkëta në projektet e Bashkimit Evropian, duke fuqizuar zhvillimin lokal dhe rritjen e mundësive financiare për shërbime ndaj komunitetit.

 

Ansambli “Mirdita” performon në San Cosmo Albanese, Itali.

 

Më datë 19 gusht 2025, Ansambli “Mirdita” zhvilloi një performancë artistike në komunën San Cosmo Albanese, Itali.

Artistët e Ansamblit “Mirdita” ishin pjesë e festës tradicionale të zonës “La Sagra del Fico”, ku përmes këngëve dhe valleve popullore dhuruan emocione të veçanta për publikun vendas dhe vizitorët e shumtë.

Kryetari i komunës San Cosmo Albanese, z. Dammiano Baffa, i dorëzoi Ansamblit “Mirdita” emblemën e komunës, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për pjesëmarrjen e tyre dhe për promovimin e traditave kulturore shqiptare.

Pjesëmarrja e Ansamblit ‘Mirdita’ vjen si rezultat i binjakëzimit të Bashkisë Mirditë dhe komunës San Cosmo Albanese, një marrëveshje që synon të forcojë shkëmbimet kulturore, ekonomike dhe sociale mes dy komuniteteve.

Bashkia Mirditë falenderon komunën San Cosmo Albanese për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe shpreh përkushtimin për të vijuar projekte të përbashkëta që ruajnë dhe promovojnë identitetin tonë kulturor.

     

 

“Investo në Mirditë” – Thirrje për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.

Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizoi aktivitetin “Investo në Mirditë” – një thirrje për bashkëpunim, e fokusuar në zhvillimin e aseteve në pronësi të Bashkisë Mirditë, në funksion të rritjes ekonomike dhe turizmit.

Aktiviteti bashkoi mirditorë nga brenda vendit dhe diaspora, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve.

Takimi u hap nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi qasjen e bashkisë ndaj investitorëve:
– “Jemi këtu për të mbështetur çdo iniciativë që sjell zhvillim ekonomik dhe vende pune për qytetarët tanë.”

Z. Nikolin Jaka bëri thirrje për shfrytëzimin e potencialit të Mirditës si zonë me mundësi reale investimi, duke garantuar mbështetje logjistike dhe profesionale nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë për çdo sipërmarrës.

Dom Gjergj Meta shprehu rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, duke theksuar se zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i ndërtuar mbi vlera afatgjata për komunitetin.

Përfaqësuesi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Z. Spartak Harizi, prezantoi skemat e mbështetjes financiare për bizneset dhe fermerët, duke shpjeguar mënyrat konkrete të aksesimit të fondeve për zhvillim në bujqësi dhe turizëm.

Z. Kol Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Gjermani, nënvizoi rolin thelbësor të diasporës si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në vazhdim, stafi i Bashkisë Mirditë solli një panoramë të qartë mbi atraksionet turistike të Mirditës, skemat e granteve ku mund të
aplikojnë bizneset, procedurat ligjore për investime, si dhe nismën “Paketa e Maleve” që synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor.

Z. Rigers Kacorri ndau vizionin për të ardhmen e industrisë agropërpunuese në Mirditë duke theksuar se :
– “Mirdita ka çdo gjë që i duhet për të qenë një qendër e fuqishme e prodhimit dhe turizmit rural. Duhet vetëm të besojmë dhe të punojmë së bashku për ta arritur”.

Takimi vijoi me diskutime të hapura dhe konstruktive mbi sfidat që përballen sipërmarrësit lokalë, si dhe mbi mundësitë për përmirësim dhe rritje të investimeve në zonë.

Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së bashkëpunimit mes komunitetit, sipërmarrësve dhe bashkisë Mirditë.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 është një program që ofron grante deri në 50% për investime në bujqësi, blegtori, agroturizëm dhe akuakulturë.

Në të njëjtën kohë, kredia e butë ofron financim me normë interesi të ulët prej 2% dhe garanci shtetërore për 70% të vlerës së kredisë, duke lehtësuar aksesin e fermerëve në hua për zhvillimin dhe modernizimin e veprimtarive të tyre.

Së bashku, grantet dhe kredia krijojnë një paketë financimi të plotë për rritjen dhe përmirësimin e bujqësisë në vend.

Çdo fermer individual, subjekt me status fizik apo juridik dhe SHBB mund të aplikojë për mbështetje në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për 9 masa mbështetëse:

-Ndërtimi i serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës.
-Mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta.
-Rrjeta antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese.
-Sistemet e ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta.
-Ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendëtarisë.
-Mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale.
-Pajisje për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri.
-Investime në agroturizëm.
-Koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë.

-Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 janë të hapura deri më 30 Shtator 2025.

Ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural janë të gatshëm për çdo pyetje apo ndihmë nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor pranë zonës suaj.
Për më shumë informacion, ju mund të kontaktoni në:
Numrin falas: 0800 83 83
Website: www.azhbr.gov.al
Email: info@azhbr.gov.al

Zyra e Ekstensionit Bujqësor Mirditë.
+355 68 851 2897

FTESË PËR PJESËMARRJE

Bashkia Mirditë ju fton të merrni pjesë në aktivitetin “Investo në Mirditë”, që do të zhvillohet më 12 Gusht 2025, ora 10:00, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, pranë Agroturizëm “Arbëri” Rrëshen.

Ky takim i hapur synon të krijojë një bashkëpunim institucional për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Mirditës, mbi bazën e aseteve ekzistuese dhe mundësive konkrete për përdorimin e tyre, si dhe në kuadër të nismës “Paketa e Maleve”.

Ftojmë të gjithë mirditorët / investitorë të tjerë që me përvojën e tyre dëshirojnë të kontribuojnë dhe të investojnë në Mirditë me projekte konkrete biznesi apo dhe në fushën sociale.

Për konfirmim pjesëmarrjeje ose për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni në:
info@bashkiamirdite.gov.al
+355 216 22 233