Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Mirë Se Vini Në Faqen Zyrtare të Bashkisë Mirditë

Kampi veror “Mirdita Vizion 2025”

U mbyll me sukses kampi veror dyjavor “Mirdita Vizion 2025”, një hapësirë e rëndësishme zhvillimi, energjie dhe gëzimi për 85 fëmijë.
Ceremonia përmbyllëse u kurorëzua me ndarjen e çertifikatave, ku e pranishme ishte dhe Znj. Nora Malaj, e cila përçoi mesazhe edukuese dhe frymëzuese për fëmijët.

Mirënjohje për stafin e VIZION OJF dhe QKF-Mirditë për përkushtimin, energjinë dhe organizimin.

Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar në Mirditë.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, mirëpriti sot përfaqësuesit e Muzeut Historik Kombëtar në Mirditë.

Gjatë takimit u diskutua për nevojën që Bashkia Mirditë ka për të promovuar pasurinë historike të zonës dhe për të përmirësuar Muzeun Historik të Mirditës.

Ekipi i njësisë së edukimit të Muzeut Historik Kombëtar, i udhëhequr nga Drejtoresha znj. Elenita Roshi, zhvilloi një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese me fëmijët e qytetit të Rrëshenit, të cilat kulmuan me hapjen e ekspozitës fotografike “Thesaret e Muzeut”.
Kjo ekspozitë solli para tyre disa nga objektet më të çmuara të koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, i falënderoi përfaqësuesit e Muzeut për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e këtyre iniciativave që fuqizojnë njohuritë historike dhe kulturore tek brezat e rinj.

Njoftim për Praktikë Pune në Bashkinë Mirditë

Bashkia Mirditë njofton të gjithë të rinjtë e interesuar se në kuadër të Thirrjes së Dhjetë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, janë hapur aplikimet për praktika profesionale në administratën publike.

🗓 Periudha e aplikimeve:
Nga data 27 qershor deri më 10 gusht 2025
Aplikimet realizohen vetëm online përmes platformës zyrtare:
praktika.riniafemijet.gov.al

Pozicionet që ofrohen në Bashkinë Mirditë janë si më poshtë:
• 2 praktikantë në pozicionin Inxhinier
• 2 praktikantë në pozicionin Arkitekt
• 2 praktikantë në pozicionin Jurist
• 2 praktikantë në pozicionin Punonjës Social

Ftojmë të gjithë të rinjtë e diplomuar apo që janë në përfundim të studimeve të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij programi me qëllim fitimin e përvojës praktike në administratën publike.

Për më shumë informacion, vizitoni platformën zyrtare të programit ose kontaktoni me Drejtorinë e Burimeve Njerëzore pranë Bashkisë Mirditë.

Faleminderit për bashkëpunimin!

Ekspozita fotografike: “Personalitete historike nga Mirdita”.

Me datë 25 qershor në hollin e Bashkisë Mirditë, u organizua ekspozita fotografike me titull: “Personalitete historike nga Mirdita”.

Në këtë ekspozitë u prezantuan fotografi të personaliteteve të shquara mirditore, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e Mirditës dhe në trashëgiminë tonë kombëtare.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, u shpreh se këto personalitete përfaqësojnë vlerat më të mira të vendit dhe janë një shembull frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dhe fotografitë e tyre do të vendosen në ambientet e Bashkisë Mirditë, si një vlerësim dhe kujtesë e përhershme për kontributin e tyre .

Kjo ekspozitë shërben si një kujtesë vizuale e trashëgimisë së pasur që mbart Mirdita dhe një nxitje për të ruajtur e promovuar më tej vlerat tona historike e kulturore.

THIRRJE E HAPUR PËR TË RINJTË!

Je një i ri në moshën 18–35 vjeç?
Ke ide, pyetje, dëshirë për të kontribuar apo thjesht për të ndarë mendimet e tua?

Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, ju fton në një takim të hapur me të rinjtë, më datë 4 Korrik 2025, në orën 10:00, në sallën e Këshillit Bashkiak Mirditë.

Le të diskutojmë së bashku për çështjet që na prekin, për mundësitë që kemi dhe për atë çfarë mund të ndërtojmë së bashku.

Vendosja e 15 Hidrantëve të Rinj, Investim i Ri për Sigurinë Publike.

Bashkia Mirditë ka ndërmarrë një ndërhyrje në sistemin e mbrojtjes kundër zjarrit, përmes vendosjes së 15 hidrantëve të rinj, të jashtëm dhe nëntokësor, në pika strategjike të qytetit dhe njësive administrative.

Hidrantët janë vendosur në këto zona:
1. Hyrja e qytetit Rrëshen
2. Lagjja e Re e Rindërtimit
3. Pranë Stacionit Zjarrfikës
4. Pranë Kryqëzimit, Rrëshen
5. Sheshi “Abat Doci” – 3 hidrantë nëntokësorë.
6. Pranë pallateve parafabrikat
7. Market Conad, Rrëshen
8. Ura e Zmesë
9. Kodër – Rrëshen
10. Malaj
11. Munaz
12. Rubik
13. Mashtërkor – Orosh (autostradë).

Ky investim synon të lehtësojë furnizimin me ujë për mjetet zjarrfikëse dhe të ndihmojë në përmirësimin e reagimit në rastet e zjarreve apo emergjencave të tjera.