Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Mirë Se Vini Në Faqen Zyrtare të Bashkisë Mirditë

United Nations Development Programme (UNDP) dhe Bashkia Mirditë kanë zhvilluar takimin e parë zyrtar për nisjen e procesit të hartimit të Planit Social të Bashkisë Mirditë për periudhën 2027–2029.

Takimi u fokusua në forcimin e politikave sociale në nivel vendor dhe në identifikimin e nevojave më emergjente të komunitetit.

Sipas përfaqësuesve të bashkisë dhe ekspertëve të UNDP-së, plani i ri synon të krijojë mekanizma më efikasë për mbështetjen e qytetarëve, me vëmendje të veçantë ndaj grupeve më vulnerabël.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u bë e ditur se falë partneritetit me UNDP-në do të përshtatet një qendër për të moshuarit në Rubik.

Qendra pritet të ofrojë shërbime të dedikuara për të moshuarit, duke synuar përmirësimin e kushteve sociale dhe rritjen e kujdesit për këtë kategori.

Këto ndërhyrje do të realizohen në kuadër të projektit Leave No One Behind, i cili synon të garantojë që askush të mos mbetet i përjashtuar nga të drejtat, shërbimet publike dhe mundësitë për zhvillim.

Përfaqësuesit e institucioneve e konsideruan këtë nismë një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave sociale më gjithëpërfshirëse dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët e Mirditës.

Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, znj. Kato, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bashkinë Mirditë, ku u prit nga kryetari i bashkisë, z. Albert Melyshi.

Në takim mori pjesë edhe z. Avni Ponari, Konsulli i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Tiranë.

Gjatë takimit, kryetari Melyshi falënderoi për mbështetjen e dhënë ndër vite nga pala japoneze, duke theksuar ndikimin e saj në përmirësimin e kushteve për komunitetin vendas.

Ai nënvizoi se, pavarësisht përpjekjeve për të përmbushur nevojat e qytetarëve, bashkia vijon të përballet me kërkesa të shumta për shërbime në terren.

Ambasadorja Kato shprehu gatishmërinë për vijimin e mbështetjes ndaj Bashkisë Mirditë, përmes granteve dhe fondeve të ndryshme, me fokus projekte në shërbim të komunitetit.

Takim konsultativ nga Bashkia Mirditë, në kuadër të hartimit të draft-propozimit për Reformën Administrativo-Territoriale.

Një tryezë e gjerë debati mbi rishikimin e ndarjes territoriale dhe forcimin e identitetit administrativ të Mirditës u zhvillua këtë të mërkurë në ambientet e Bashkisë Mirditë.

Takimi u organizua nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, z.Albert Melyshi dhe mblodhi intelektualë të njohur mirditas, profesorë, ish-drejtues vendorë ndër vite, specialistë të pushtetit lokal, si dhe përfaqësues të administratës dhe komunitetit.

Në fjalën e tij hapëse, z. Melyshi theksoi nevojën për një unifikim qëndrimesh dhe ndërtimin e një perspektive reale për ndarjen territoriale.

Sipas tij, qëllimi është hartimi i një draft-propozimi të konsoliduar për t’ia paraqitur Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale.
Ai vuri në dukje se një pjesë e territoreve historike të Mirditës janë aktualisht jashtë kufijve administrativë, ndërsa shtoi se një dalje e mundshme në vijën bregdetare do të kishte ndikim pozitiv ekonomik.

Gjatë tryezës, pjesëmarrësit analizuan në mënyrë të zgjeruar pasojat historike dhe aktuale të ndarjeve administrative.

U theksua se Mirdita, e njohur tradicionalisht për organizimin në 12 bajrakë – Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Fani, Dibri, Selita, Kthella, Rraza, Kryezezi, Bulgri, Vela dhe Manatia; ka pësuar një tkurrje të ndjeshme territoriale, nga rreth 1715 km² historikisht në 870.26 km² sot.

Pjesëmarrësit nënvizuan se rishikimi i ndarjeve administrative është një proces i mundshëm ligjërisht në një shtet demokratik dhe duhet të bazohet në kritere funksionale, ekonomike, historike dhe identitare.

Në aspektin zhvillimor, u ngritën shqetësime për vështirësitë në administrimin e zonave malore dhe nevojën për menaxhim më efikas të burimeve natyrore dhe potencialit turistik.

Gjithashtu, u evidentua fenomeni i emigrimit dhe shpopullimit, duke u theksuar se modeli aktual i reformës së vitit 2014 nuk ka arritur të japë rezultatet e pritshme.

Reforma territoriale e vitit 2014, sipas studiuesve, ka qenë e njëanshme dhe e pa konsultuar me pushtetin vendor, duke theksuar se decentralizimi nuk është reflektuar në shërbime konkrete për qytetarët.

Ata sollën të dhëna, ku referuar regjistrit të Gjendjes Civile, Mirdita ka aktualisht rreth 34 mijë banorë, ndërsa së bashku me zonat e shkëputura arrin në rreth 55 mijë banorë, me një kontribut që kap mbi 300 milionë euro në GDP kombëtare.
Po ashtu, diskutimet u fokusuan gjithashtu tek problematika e centralizimit, mbivendosja e kompetencave dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë, veçanërisht në zonat rurale.

U kërkua që çdo ndryshim i ardhshëm të mbështetet në vullnetin e komuniteteve dhe të shoqërohet me rritje të kompetencave vendore.

Tryeza u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt hapjes së një debati më të gjerë institucional mbi të ardhmen administrative dhe zhvillimore të Mirditës.

  

Mirëpritëm në një vizitë zyrtare në Bashkinë Mirditë, Ambasadorin e Sllovakisë në Shqipëri z Albín Otruba, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Pezinokut z. Roman Mács dhe Atasheun Ekonomik pranë Ambasadës së Sllovakisë në Shqipëri z. Ivo Hanuš.

Delegacioni u prit nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, së bashku me stafin e tij.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus në zhvillimin ekonomik, turizmin, bujqësinë dhe projektet e përbashkëta ndërmjet pushteteve vendore.

Vizita vjen në vazhdimësinë e iniciativave të përbashkëta, të nisura me binjakëzimin e Bashkisë Mirditë me Bashkinë Pezinok në Sllovaki, në shtator të vitit 2025.

 

Mbi ecurinë e Paketës së Maleve – Bashkia Mirditë

Në vijim të interesit publik për Paketën e Maleve, Bashkia Mirditë informon qytetarët se procesi ka vijuar dhe do të vijojë në mënyrë të hapur, transparente dhe të aksesueshme për të gjithë.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, janë ndërmarrë këto hapa:

– Njoftimi i parë zyrtar më 29 maj 2025
– Njoftimi i dytë më 16 korrik 2025, pas hapjes së aplikimeve në e-Albania, për Shprehje Interesi.
– Ftesa publike e hapur për takimin “Investo në Mirditë” më 1 gusht 2025
– Zhvillimi i takimit konsultativ të hapur më 12 gusht 2025.

Gjatë gjithë procesit është ofruar informim dhe asistencë për qytetarët, duke garantuar transparencë dhe përfshirje.

Deri më sot janë regjistruar mbi 200 shprehje interesi, duke reflektuar një pjesëmarrje të gjerë dhe duke shërbyer si bazë për përcaktimin e zonave prioritare për zhvillim.

Në zbatim të Ligjit nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, Udhëzimit nr. 2, datë 15.10.2025 dhe VKM nr. 180, datë 19.03.2026, për zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Mirditë, është miratuar Udhëzimi i Bashkisë Mirditë nr. 25, datë 15.04.2026, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për mënyrën e paraqitjes së aplikimit dhe procedurën administrative për njohjen si posedues jo pronar.”

Aplikimet do të kryhen online në portalin e-Albania https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=16987 .

Kërkesa duhet të shoqërohet me plan rilevimi të sipërfaqes së poseduar, të hartuar nga një ekspert gjeodet i licensuar, si dhe me një ose më shumë nga dokumentet e mëposhtme:

•Dokumentacion tatimor që vërteton ushtrimin e aktivitetit ekonomik mbi pasurinë;
•Fatura të shërbimeve te lidhura me pasurinë si: pagesat per energjinë elektrike, uje etj.;
•Deklarata/dëshmi të banorëve dhe autoriteteve vendore që vertetojnë perdorimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të pakten 10 (dhjetë) vitesh;
•Fotografi, ortofoto ose prova të tjera material që vërtetojnë posedimin;
•Çdo dokument tjeter i cili provon lidhjen e subjektit aplikues me pasurinë.

Për çdo paqartësi apo asistencë, gjatë procesit të aplikimit dhe për informacion mbi kriteret, qytetarët mund të paraqiten pranë Zyrës së Pritjes së Qytetarëve, Bashkia Mirditë.

Bashkia Mirditë do të vijojë procesin duke ofruar të gjithë asistencën e nevojshme dhe duke garantuar transparencë të plotë.

 

NJOFTIM ZYRTAR (Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Mirditë.)

 

Bashkia Mirditë informon qytetarët, bizneset dhe të gjitha palët e interesuara se, në zbatim të Ligjit nr.20/2025 për Paketën e Maleve është bërë shpallja e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Mirditë me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 180, datë 19.3.2026.

1. Zonat e shpallura janë si më poshtë:

Zona nr. 1, fshatrat Fan, Bisakë, Klos, Konaj, Shëngjin, Sang, Thirrë, Xhuxhë, Shtrungaj, Zall Xhuxhë, Katundi i Ri, Dardhëz, Hebe, Domgjon, Gjakëz dhe Munellë, pjesë e Njësisë Administrative Fan, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 17088 (shtatëmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

Zona nr. 2, fshatrat Lurth dhe Ujë, pjesë e njësive administrative Kthellë dhe Rrëshen, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 1470 (një mijë e katërqind e shtatëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

Zona nr. 3, fshatrat Kullaxhi, Ndërshen, Lgjin, Bulshar, Planet, Nënshejt, Grykë-Orosh, Mashtërkor, Shtrungaj dhe Lajthizë, pjesë e njësive administrative Orosh dhe Fan, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 9078 (nëntë mijë e shtatëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

Zona nr. 4, fshatrat Kodër-Rrëshen, Tarazh, Malaj, Malaj i Epërm, Perlat Qendër, Perlat i Sipërm, Shebe, Tharr, Trojë, Prosek; qyteti Kurbnesh, fshatrat Lufaj, Bardhaj, Lëkundë, Zajs, Kthellë e Sipërme, Kurbnesh-fshat, Mërkuth, Kumbull, pjesë e njësive administrative Rrëshen, Kthellë dhe Selitë, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 19731 (nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

Zona nr. 5, fshatrat Gëziq, Kullaxh dhe Pshqesh, pjesë e njësive administrative Rrëshen dhe Orosh, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 1565 (një mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr. 6, fshatrat Kaçinar, Arrëz, Kuzhnen, Simon, Shëngjergj, Shtuf, Shpërdhezë, Bukmirë dhe Pshqesh, pjesë e njësive administrative Kaçinar, Orosh dhe Rrëshen, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 10599 (dhjetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;

Zona nr. 7, fshatrat Fierzë, Bulshizë, Fang, Rasfik, Katund i Vjetër, Munaz, Rreja e Zezë, Rreja e Velës, Vau Shkezë, Rrethi i Sipërm, Livadhëz, Bulger, pjesë e Njësisë Administrative Rubik, Bashkia Mirditë, qarku Lezhë, me sipërfaqe 12563 (dymbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.

2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këto zona, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.

Bashkëlidhur gjeni dhe vendimin përkatës:

https://qbz.gov.al/share/M9B8POYsS9Sp1IicHBpLeQ

 

Shoqata Magna Grecia Off-Road zhvilloi një mision humanitar në Mirditë.

Shoqata Magna Grecia Off-Road e përbërë nga anëtarë të komunitetit arbëresh në Itali, në bashkëpunim me Caritasin Dioqezan të Rossanos, në kuadër të edicionit humanitar 2026, zhvilloi një mision humanitar në Mirditë.

Në fokus ishte mbështetja për nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar Reps, përmes shpërndarjes së ndihmave në funksion të përmirësimit të kushteve arsimore.

Bashkia Mirditë shpreh mirënjohje për kontributin e tyre në shërbim të komunitetit.

Mirdita hapi edicionin e IV të Parlamentit Rural Shqiptar, duke bashkuar aktorë lokalë, rajonalë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Në fokus ishte qasja #LEADER, që synon zhvillimin e udhëhequr nga komuniteti dhe krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit (GVV) si instrument kyç për zhvillimin territorial.

Aktorët lokalë ndanë sfidat dhe nevojat specifike të komunitetit, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë prezantuan metoda praktika të suksesshme nga vendet e tyre, duke ofruar modele të përshtatshme për zhvillimin rural shqiptar.

Ky edicion synon të forcojë sinergjinë mes aktorëve lokalë dhe ekspertëve ndërkombëtarë, duke krijuar një platformë gjithëpërfshirëse për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm rural.ë Parlamentit Rural Shqiptar, duke bashkuar aktorë lokalë, rajonalë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimin e qëndrueshëm rural.