Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Mirë Se Vini Në Faqen Zyrtare të Bashkisë Mirditë

Një ndër prioritetet kryesore të Bashkisë Mirditë mbetet mbështetja për zhvillimin e bujqësisë.

Gjatë këtij viti u realizua blerja dhe shpërndarja e tubave vaditës në të gjitha njësitë administrative, me synim lehtësimin e procesit të vaditjes dhe rritjen e prodhimit bujqësor.

Plani i shpërndarjes u hartua mbi bazën e kërkesave të paraqitura nga njësitë administrative, duke përcaktuar sasitë dhe llojet e tubave të nevojshëm:
• Nj.A. Rrëshen – 6 220 ml
• Nj.A. Rubik – 4 600 ml
• Nj.A. Selitë – 792 ml
• Nj.A. Kthellë – 796 ml
• Nj.A. Orosh – 772 ml
• Nj.A. Fan – 3 500 ml
• Nj.A. Kaçinar – 328 ml

Falënderojmë banorët për bashkëpunimin e treguar, si në procesin e shpërndarjes, ashtu edhe në vendosjen e tyre menjëherë në funksion të vaditjes së tokave bujqësore.

Mundesi të reja për fermerët dhe bizneset lokale në Mirditë.

Bashkia Mirditë në kuadër të bashkëpunimeve dhe iniciativave të vazhdueshme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social, (Binjakëzimi me Komunën San Cosmo Albanese Itali, Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë me Dhomen e Tregtisë, Industrisë dhe Agrikulturës së Cosenzës Itali, si dhe Partneritetit me Madeo Group.)

Fton të gjithë fermerët, agroturizmat dhe bizneset lokale të marrin pjesë në një takim me përfaqësues të bizneseve italiane – një mundësi e vlefshme për bashkëpunime, investime dhe ide të reja.

Data: 11 Tetor 2025
Ora: 10:00
Vendi: QKF Mirditë

Aktiviteti synon të forcojë bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare dhe italiane, të nxisë mundësi të reja investimi në Mirditë dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor dhe sipërmarrës.

Në datat 24 – 27 shtator 2025, Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, ishte në një vizitë zyrtare në Dhomën e Tregtisë, Industrisë dhe Agrikulturës së Kozenzës Itali, vizitë e organizuar me mbështetjen e Konsulles së Nderit të Shqipërisë në Kalabri, znj. Anna Madeo.

Në veprimtaritë e organizuara me këtë rast ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të biznesit shqiptar, të shoqëruar nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka.

Gjatë vizitës u zhvilluan takime B2B me rreth 70 sipërmarrës italianë, ku në qendër të diskutimeve ishin fushat e prodhimit vendas, bujqësia dhe agroturizmi.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, theksoi se këto bashkëpunime janë një hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për promovimin e produkteve vendase.

Në kuadër të ketij bashkëpunimi, së shpejti do të kemi mundësinë të mirëpresim në Mirditë sipërmarrësit italianë, duke i afruar ata me fermerët lokalë dhe agroturizmat e zonës, për të krijuar mundësi konkrete për zhvillim dhe bashkëpunim.

Mirdita hap dyer të reja bashkëpunimi në Europë – Binjakëzohet me Bashkinë e Pezinokut në Sllovaki.

Mirdita hap dyer të reja bashkëpunimi në Europë – Binjakëzohet me Bashkinë e Pezinokut në Sllovaki.

Më 19 shtator 2025, Bashkia Mirditë hodhi një hap të ri në forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit duke u binjakëzuar me Bashkinë e Pezinokut në Sllovaki.

Ceremonia solemne u zhvillua në qytetin e Pezinokut, ku kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, dhe homologu i tij sllovak, z. Roman Mács, nënshkruan Memorandumin e Binjakëzimit në prani të personaliteteve të larta diplomatike.

Në këtë event morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Sllovaki, z. Arten Hanku, Ambasadori i Sllovakisë në Shqipëri, z. Albin Otruba, si dhe Presidenti i Rajonit të Bratislavës, z. Juraj Droba.

Ky binjakëzim, i cili u kurorëzua me mbështetjen e Ambasadës sonë në Sllovaki dhe asaj Sllovake në Tiranë, do të sjellë më afër komunitetet e Bashkive respektive në promovimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme, përfshirë zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe ruajtjen e traditave folklorike.

Marrëveshja e bashkëpunimit është e dyta për Bashkinë Mirditë brenda këtij viti, duke dëshmuar përkushtimin ndaj zhvillimit dhe bashkëpunimit.

Së shpejti pritet finalizimi i një marrëveshjeje tjetër, ndërsa binjakëzimet e reja krijojnë mundësi për aplikime të përbashkëta në projektet e Bashkimit Evropian, duke fuqizuar zhvillimin lokal dhe rritjen e mundësive financiare për shërbime ndaj komunitetit.

 

THIRRJE PËR APLIKIME – TIP MIRDITA

Bashkia Mirditë shpall për herë të parë Programin TIP-Mirdita, një nismë mbështetëse për të rinjtë 18-35 vjeç, banues në territorin e Mirditës.

Qëllimi i programit është nxitja e sipërmarrjes dhe zhvillimi i ideve inovative në fushat:

•Turizëm
•Trashëgimi kulturore
•Bujqësi
•Blegtori
•Aventurë

Gjatë gjithë procesit të thirrjes, Bashkia Mirditë bashkë me GIZ Albania, do të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme dhe këshillim profesional për aplikantët.

Apliko në TIP-Mirdita, përfito deri në 500.000 lekë financim dhe ktheje idenë tënde në realitet!

 Afati i aplikimeve: 17 Shtator – 17 Tetor 2025

Aplikimet pranohen vetëm online në linkun zyrtar:

Njoftim për Konsultim Publik

Bazuar në VKM nr 247, datë 30.4.2015 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimarrjen mjedisore si dhe Ligjit nr 10448, datë 14.7.2011 “Për lejet e mjedisit” i ndryshuar.

Ditën e Enjte, me datë 11.09.2025, në orën 11:00, në afërsi të subjektit do të zhvillohet konsultimi me publikun për Shoqërinë “Prima Energy” shpk me vendodhje “Suka e Kuqe”, fshati Shpal, Njësia Administrative Orosh.

 

Ansambli “Mirdita” performon në San Cosmo Albanese, Itali.

 

Më datë 19 gusht 2025, Ansambli “Mirdita” zhvilloi një performancë artistike në komunën San Cosmo Albanese, Itali.

Artistët e Ansamblit “Mirdita” ishin pjesë e festës tradicionale të zonës “La Sagra del Fico”, ku përmes këngëve dhe valleve popullore dhuruan emocione të veçanta për publikun vendas dhe vizitorët e shumtë.

Kryetari i komunës San Cosmo Albanese, z. Dammiano Baffa, i dorëzoi Ansamblit “Mirdita” emblemën e komunës, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për pjesëmarrjen e tyre dhe për promovimin e traditave kulturore shqiptare.

Pjesëmarrja e Ansamblit ‘Mirdita’ vjen si rezultat i binjakëzimit të Bashkisë Mirditë dhe komunës San Cosmo Albanese, një marrëveshje që synon të forcojë shkëmbimet kulturore, ekonomike dhe sociale mes dy komuniteteve.

Bashkia Mirditë falenderon komunën San Cosmo Albanese për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe shpreh përkushtimin për të vijuar projekte të përbashkëta që ruajnë dhe promovojnë identitetin tonë kulturor.