Gurra (ujësjellësi) dhe qyteza në Domgjon të Mirditës
Mbi një kodër me pozitë dominuese, ndodhen gjurmët e kështjellës, që nga banorët vendas njihet si “Qyteza”. Fortifikimi ka përmasa rreth 40 x 40 m dhe është ndërtuar me gurë të vegjël dhe mesatarë të lidhur me llaç. Në afërsi të fortifikimit dhe në perëndim të qendrës së fshatit, ndodhet ujësjellësi (gurra), prej të cilit ruhet një pjesë e tuneleve nëntokësore dhe pusi i kontrollit.
Arkeologu Apollon Baçe dhe restauratori Lazer Papajani në një artikull të botuar në “Monumentet”, Nr. 1, 1983, e përshkruajnë kështu ujësjellësin: “Ujësjellësi vazhdonte nga veri-perëndimi në jug-lindje me një tunel 0.95 m të gjerë. Afër pusit të kontrollit tuneli kthehet gradualisht në 45°. Më tej ai vijon i drejtë përreth 60 m. Pas kësaj largësie në afërsi të kështjellës gjurmët e tij humbasin. Tuneli është 0.95 – 1 m i gjerë. Lartësia e tij ndryshon nga 0.8 m pak para pusit të kontrollit; në 1 m pas pusit dhe 1.3 m në pjesën e fundit. Pusi i kontrollit ka lartësi 8 m dhe diameter 1.7 – 2.15 m.
Lart në nivelin e tokës gjendet një hyrje e vogël. Prej këtej nisin 23 shkallë guri që vazhdojnë në trajtë spiraleje. Në fundin e tyre ndodhet një platformë me pusetën e kontrollit në mes (0.92 x 0.9 m) pos të cilës, 0.5 m më poshtë, kalon tuneli i ujësjellësit. Pusi i kontrollit ashtu si dhe muret e tuneleve është punuar me gurë të vegjël ose mesatarë të lidhur me llaç. Lart pusi mbulohet me një kupolë sferike me gurë të vendosur në mënyrë koncentrike”.
Duke u referuar në teknikën e ndërtimit dhe në qeramikën e gjetur në sipërfaqe në brendësi të fortifikimit, arkeologët i kanë datuar kështjellën dhe ujësjellësin si ndërtime të antikitetit të vonë. Mendohet të jenë ndërtuar nga popullsia vendase, Pirustët, të njohur në antikitet për traditën e punimit në terrene shkëmbore dhe hapjen e minierave.
Ujësjellësi ka ardhur pothuajse i pa dëmtuar, ndërsa kodra ku ndodhet kështjella është dëmtuar nga erozioni, çka ka dëmtuar edhe një pjesë të fortifikimit.
Nga: Julian Vlashi.