Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Festa e Flamurit, 28 Nëntor 2024 në Mirditë.

Mirdita ka festuar sot, Ditën e Flamurit Kombëtar, me një ngjarje të veçantë dhe të mbushur me emocione.

Rrësheni dhe gjithë Mirdita janë zbukuruar për këtë ditë të shenjtë, duke u mbushur me flamuj dhe festime në nder të Pavarësisë dhe historisë së lavdishme të kombit shqiptar.

Kryetari i Bashkisë Mirditë përshëndeti të pranishmit, shqiptarët që erdhën nga trevat e ndryshme si dhe bashkëpunëtorët që ju bashkuan festimeve në Mirditë.

Fjalimi i plotë i Kryetarit të Bashkisë Mirditë z. Albert Melyshi.

Përshëndetje të dashur vëllezër e motra!

Rrësheni dhe krejt Mirdita është zbukuruar si kurrë ndonjëherë sot, më 28 Nëntor 2024, në këtë ditë të shenjtë të Flamurit tonë Kombëtar.
Siç është dhe zakoni, në radhë të parë, dua t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve Ju, që keni ardhur nga mbarë trojet shqiptare, si dhe bashkëpunëtorëve që na u bashkuan në këtë ditë festive të rrallë.
Dhe nuk ngjet rastësisht, që sot jeni këtu, porse me Mirditën është i lidhur çdo shqiptar, sepse kjo është një trevë pa të cilën historia e Shqipërisë do të ishte e paplotë, një vend në të cilën vlerat e lirisë, qëndresës dhe të shtetit janë shpalosur fuqimisht ndër shekuj.
Ato vijnë që nga Shteti i Arbërit në shekullin XII – XIII, që një periudhë kohore e kishte qendrën në Ndërfanën tonë, stemën e të cilit e mban Mirdita e sotme dhe Bashkia e saj.
Mirdita është dëshmuar si një krahinë qendrestare ndaj pushtimeve të huaja, mirditasit ishin luftëtarë, mbështetës e deri në diplomatë të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Burrat e mëdhenj të Mirditës, në prag të shpalljes së Pavarësisë, e orientuan kryengritjen popullore drejt Mëvetësisë së Kombit, përmes diturisë dhe grykës së pushkës, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë tonë kombëtare.
Ndaj i gjithë Kombi krenohet me patriotët e kësaj krahine të asaj perudhe, krerët dhe bajraktarët e Mirditës, Derën Kapidanore dhe prijësit shpirtërorë.
Nuk është e rastit që Ismail Qemali i quante malësorët: “burra trima që nuk luftojnë për gja tjetër, veç për pavarësinë kombëtare”.
Në rrugën e ndritur drejt Flamurit, ata u prinë nga Dom Nikollë Kaçorri, Imzot Prend Doçi, Dom Gaspër Krasniqi e të tjerë prelatë të shquar.
Kemi, ndër të tjera, edhe dy data të shënuara të pas Pavarësisë në Mirditë: ngritjen simbolike festive të flamurit kombëtar në Malaj më 25 dhjetor 1912 dhe në të njëjtën mënyrë, më 25 mars 1913 në Rubik, ku Kuvendi Françeskan kishte qenë një ndër vatrat e lëvizjes kombëtare për Pavarësi për gjithë veriun.
Ne sot i përkujtojmë me nderim të gjithë ata shqiptarë që na dhanë lavdinë e Flamurit dhe shtetin, por nuk mund të mos veçojmë figurën e lartë të Abatit të Mirditës, Imzot Prend Doçit, Nderi i Kombit, i cili në Mirditë dhe me gjerë tregoi aftësi e zotësi për të bashkuar të gjithë shqiptarët.
Me “Shoqërinë Bashkimi”, ai u dha mësimin e çmuar bashkëkombësve, se bashkimi ishte çelësi i suksesit të së ardhmes në politikë, qeverisje, arsim, kulturë etj.
Ai i gëzohej një Shqipërie me shtetin e saj, me libra e shkolla shqipe, me një alfabet të njësuar për të gjithë shqiptarët e shumë vepra të tjera madhore.
Të dashur pjesëmarrës në këtë kremtim jubilar të Pavarësisë!
Në këtë shesh që mban emrin e Tij, ne Mirditasit e sotëm mblidhemi gjithnjë në festa e gëzime, për të kënduar e gazmuar si sot, por dhe për të shpallur arritjet dhe zotimet tona.
Institucionet në Mirditë, Bashkia dhe shoqëria civile, nuk rreshtin së ideuari, projektuari e realizuari veprimtari të shumta e të gjithanshme për zhvillimin e zonës.
Bashkëkontribues në progresin e vendlindjes së tyre janë dhe emigrantët tanë, të cilët i përshëndesim me përzemërsi.
Ata bëjnë më të mirën, që fëmijët e tyre ta kenë shqipen, Shqipërinë dhe flamurin në gjak, ashtu si të parët atdhetarë.
Flamuri ynë kombëtar është frymëzim për secilin nga ne shqiptarët, ngado vijmë e kudo shkojmë, për nisma të reja në kuadrin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Paraardhësit tanë të fisëm e bënë veprën e tyre sa i përket shqiptarisë, tash është koha ta bëjme ne tonën, në shoqërinë moderne.
Ne mirditasit jemi sot të përbashkuar rreth Flamurit të shenjtë, ashtu siç na mëson himni ynë kombëtar, për ta çuar përpara zhvillimin në të gjitha fushat e jetës.
Deviza e paraardhësve tanë ishte: nga kuvendi i krahinës në kushtrimet e kryengritjeve për Pavarësi, kurse motoja jonë është bashkëpunimi me të gjithë aktorët dhe faktorët për të mundësuar një zhvillim sa më të shpejtë e të qëndrueshëm të Mirditës në ekonomi, kulturë, arsim, turizëm, infrastrukturë etj.
Edhe njëherë, motra e vëllezër që keni ardhur nga larg, faleminderit që jeni sot këtu!
Mirdita u është mirënjohëse.
Rroftë Dita e Flamurit!
Rroftë e u begatoftë Shqipëria!

*Rrëshen, 28 Nëntor 2024

Albert Melyshi

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published.