Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Takim me përfaqësuesin e Dhomës Zejtare të Dortmundit, në kuadër të Projektit Federal për Shqipërinë mbi Partneritetin e Arsimit Profesional.

Me datë 10 nëntor Kryetari i Bashkisë Mirditë z. Albert Melyshi është takuar në ambientet e Shkollës Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” me Koordinatorin e projektit PAP – Shqipëri, z. Franc Musolli, në praninë e Padre Michele Leovino – Drejtori i Shkollës “Shën Jozefi Punëtor”, z. Luigj Gjergji – Drejtori Didaktik i Shkollës dhe njëkohësisht bashkëpunëtor i projektit PAP-Shqipëri si dhe Padre Umberto Boero – Zv. Drejtor dhe Përgjegjës i Njësisë së Zhvillimit të Shkollës “Shën Jozefi Punëtor”.

Fokusi i takimit ka qënë zhvillimi i mundësive të bashkëpunimit në mes Bashkisë Mirditë dhe Shkollës Profesionale në kuadër të këtij projekti dhe impaktin e mundshëm që mund të ketë ky bashkëpunim në zhvillimin ekonomik të Mirditës.

Në fjalën e tij z. Melyshi ka falenderuar z. Musolli për këtë projekt kaq të rëndësishëm për zhvillimin e ofertës profesionale dhe impaktin e madh që ka në punësimin e të rinjve dhe rrjedhimisht në zhvillimin ekonomik të familjeve në Mirditë dhe në shumë rrethe të Veriut të Shqipërisë, duke siguruar nga ana e Bashkisë bashkëpunimin aktiv për t’u ardhur në ndihmë personave të papunë dhe ndërmarrjeve të reja në territor.

Gjithashtu z. Melyshi ka falenderuar drejtuesit e Shkollës Profesionale “Shën Jozefi” për aktivitetin e vazhdueshëm të rëndësishëm në formimin profesional dhe në zhvillimin e partneritetit Shkollë-Sipërmarrje private për punësimin e të rinjve si dhe për të gjitha veprimtaritë sociale dhe kulturore që zhvillon në të mirë të komunitetit të Mirditës dhe më gjërë.

Palët në takim kanë konkluduar për banorët e Bashkisë Mirditë si në vijim:

Mundësinë e regjistrimit falas të personave të papunë, banorë të Bashkisë Mirditë, në kurset afatshkurtra që shkolla mundëson si qendër kursesh profesionale.

Këto kurse janë në fushën e Elektrikes, 3 dhe 9 mujore, në fushën e Mekanikës 3 mujore, Hidraulikes 3 mujore si dhe Informatikes 3 mujore.

Po ashtu, dy herë në vit në Shkollë zhvillohet kursi dyjavor i saldimit me certifikim ndërkombëtar në të cilin Bashkia Mirditë mund të regjistrojë personat që kanë dëshirë të formohen në këtë zanat kaq të kërkuar në tregun e punës, një ofertë punësimi e sigurtë brenda vendit.

Personat e interesuar mund të paraqiten pranë Sekretarisë së Bashkisë Mirditë për detajet dhe dokumentacionin e nevojshëm për të ndjekur falas këto kurse profesionale.

Gjatë takimit Kryetari i Bashkisë Mirditë ka siguruar gjatë këtij takimi edhe mundësinë e trajnimit profesional falas të personelit të shërbimeve publike në sektorë të ndryshëm nga ana e mjeshtrave nga Gjermania në profilet: Hidraulikë, Mekanikë, Elektrikë dhe Saldim.

Z. Musolli i ka paraqitur Kryetarit të Bashkisë edhe angazhimin e partnerëve në projektin PAP-Shqipëri për të organizuar dhe zhvilluar, brenda periudhës së dytë 3 vjeçare të projektit, kurse 2-3 ditore në fushën e elektroteknikës, automekanikës dhe hidraulikës, për kompetenca profesionale të reja të tregut të punës në këto sektorë, duke ju ofruar ndërmarrjeve private zhvillimin profesional të punonjësve të tyre për shtimin e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.
Bashkëpunimi me Bashkinë Mirditë edhe në këtë aspekt do t’u mundësonte ndërmarrjeve private mundësinë e ndjekjes së këtyre kurseve pa pagesë.

Drejtori i Shkollës ka falenderuar z. Musolli për iniciativën e takimit dhe për vazhdimësinë e këtij projekti kaq të rëndësishëm për veprimtarinë e “Shën Jozefit” në të mirë të territorit.
Në fjalën e tij Padre Michele Leovino ka theksuar me vlerësim vazhdimësinë e bashkëpunimit që institucioni “Shën Jozefi” ka me të gjitha institucionet publike lokale ndër vite si dhe i ka siguruar Kryetarit të Bashkisë, i cili e njeh aq mirë aktivitetin e kësaj shkolle, vazhdimësinë e kësaj tradite bashkëpunimi gjithnjë e më efikase në të mirë të banorëve të Mirditës.

Në fund të takimit, për një zhvillim sa më të frytshëm të këtij bashkëpunimi, z. Musolli ka ftuar z. Melyshi për një vizitë të një delegacioni të Bashkisë Mirditë tek Dhoma Zejtare në qytetin e Dortmundit, për të shqyrtuar dhe promovuar mundësi të reja të bashkëveprimit me institucione gjermane për zhvillim ekonomik, me projekte dhe iniciativa të tjera të rëndësishme.

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published.