Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Vizita e ndërsjellë e Përfaqësuesve të Komunës San Cosmo Albanese dhe Presidentit të Fondacionit Arbëresh në Mirditë.

Në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit të nënshkruar më 27 shtator 2024 ndërmjet Bashkisë Mirditë dhe Komunës San Cosmo Albanese, përfaqësues të Komunës San Cosmo Albanese, së bashku me Presidentin e Fondacionit Arbëresh, po realizojnë një vizitë zyrtare të ndërsjellë në Mirditë.

Delegacioni, i udhëhequr nga Kryetari i Komunës San Cosmo Albanese, u prit nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, i cili shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë vizitë të rëndësishme, e cila shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e lidhjeve mes dy komuniteteve.

Gjatë ditës së parë të vizitës, delegacioni inspektoi disa nga vendet historike dhe kulturore të Mirditës, duke filluar me një vizitë homazh në Kishën e Shën Markut në Fan, ku në vitin 1911, arbëreshi Terenzio Tocci mblodhi prijësit e disa krahinave për të ngritur flamurin kombëtar dhe më pas për të krijuar “Qeverinë e Përkohshme të Kimzës”.

Aktivitetet vazhduan me një vizitë në Kishën e Gëziqit, ku janë zbuluar stema heraldike dhe mbishkrimi epigrafik i Principatës së Arbërit, për të vijuar me Kantinën Arbëri, shembull i zhvillimit ekonomik dhe turistik të rajonit.

Axhenda vijoi në Dioqezën Rrëshen ku u mirëpritëm nga Ipeshkëvi Dom Gjergj Meta, dhe më pas u përmbyll me një atmosferë shpirtërore dhe festive nga Koncerti i Krishtlindjeve të Korit “Voc Luvenum” në Katedralen “Jezusi i Vetmi Shpëtimtar i Botës”, Rrëshen.

Dita e dytë e vizitës do të vijojë me koncertin “Festo n’Mirditë” në sheshin “Abat Doçi” me shumë miq dhe të ftuar ku pritet të na bashkohet dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

 

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published.