Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Kulturë

Vizita e ndërsjellë e Përfaqësuesve të Komunës San Cosmo Albanese dhe Presidentit të Fondacionit Arbëresh në Mirditë.

Në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit të nënshkruar më 27 shtator 2024 ndërmjet Bashkisë Mirditë dhe Komunës San Cosmo Albanese, përfaqësues të Komunës San Cosmo Albanese, së bashku me Presidentin e Fondacionit Arbëresh, po realizojnë një vizitë zyrtare të ndërsjellë në Mirditë.

Delegacioni, i udhëhequr nga Kryetari i Komunës San Cosmo Albanese, u prit nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi, i cili shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë vizitë të rëndësishme, e cila shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e lidhjeve mes dy komuniteteve.

Gjatë ditës së parë të vizitës, delegacioni inspektoi disa nga vendet historike dhe kulturore të Mirditës, duke filluar me një vizitë homazh në Kishën e Shën Markut në Fan, ku në vitin 1911, arbëreshi Terenzio Tocci mblodhi prijësit e disa krahinave për të ngritur flamurin kombëtar dhe më pas për të krijuar “Qeverinë e Përkohshme të Kimzës”.

Aktivitetet vazhduan me një vizitë në Kishën e Gëziqit, ku janë zbuluar stema heraldike dhe mbishkrimi epigrafik i Principatës së Arbërit, për të vijuar me Kantinën Arbëri, shembull i zhvillimit ekonomik dhe turistik të rajonit.

Axhenda vijoi në Dioqezën Rrëshen ku u mirëpritëm nga Ipeshkëvi Dom Gjergj Meta, dhe më pas u përmbyll me një atmosferë shpirtërore dhe festive nga Koncerti i Krishtlindjeve të Korit “Voc Luvenum” në Katedralen “Jezusi i Vetmi Shpëtimtar i Botës”, Rrëshen.

Dita e dytë e vizitës do të vijojë me koncertin “Festo n’Mirditë” në sheshin “Abat Doçi” me shumë miq dhe të ftuar ku pritet të na bashkohet dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

 

Mirdita N’fest…

22 dhjetori vazhdoi me aktivitete të jashtëzakonshme që sollën së bashku komunitetin dhe vizitorët për të festuar trashëgiminë kulturore dhe traditat e rajonit tonë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë Panairin e Artizanëve, të shijojnë një koncert të mrekullueshëm në Sheshin “Abat Doçi”, dhe të eksplorojnë Infokullën, ku u zhvillua edhe një rrjetëzim ndërmjet grupeve të interesit.

Ky aktivitet eshtë pjesë e projektit “Mirdita Junik”,
i cili realizohet ne partneritet me CHwB Kosovë, Komunën Junik, Bashkine Mirdite dhe Qendrën UET.

Bota e Xhupave të Zanave të Mirditës në InfoKullë

Falë mbështetjes së z. Marianne Graf, InfoKullës i shtohet një dhomë dedikuar veshjes tradicionale të gruas mirditore.

Veshja e gruas mirditore është shpallur Kryevlerë Kombëtare e Trashëgëmisë Kulturore Jomateriale.

Vizitorët që do të ndalojnë në Qendrën e Informacionit Turistik do të kenë mundësinë të eksplorojnë një nga thesaret më të veçanta të trashëgimisë jomateriale, e cila reflekton elemente autentike kulturore dhe etnografike të krahinës së Mirditës.

U hap sot ekspozita “Rrathët e Ferrit” në Mirditë

Ekspozita me punimet e fëmijëve të Qendrës Kulturore Mirditë, u organizua në kuadër të marrëveshjes së Bashkisë Mirditë dhe Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Pikturat e fëmijëve ishin bazuar në librin me të njëjtin titull si ekspozita të një prej të mbijetuarve të ish-kampeve të internimit dhe burgjeve komuniste, Lekë Pervizi.

Kryetari i Bashkisë, Albert Melyshi, dhe Drejtori Ekzekutiv i ISKK-së, Çelo Hoxha, theksuan rëndësinë e këtyre aktiviteteve që edukojnë dhe informojnë të rinjtë mbi krimet e komunizmit.

Këto iniciativa ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë historinë dhe të vlerësojnë lirinë, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme dhe më të përgjegjshme.

“Ngjyrosim ëndrra“

Mirëpritëm në ambientet e Bashkisë Mirditë nxënës të Gjimnazit Rrëshen, të cilët po zbatojnë projektin “Ngjyrosim ëndrra“ sipas metodologjisë “Të nxënit përmes shërbimit” me mbështetjen e Fondacionit Mary Ward Loreto!

Nxënësit janë angazhuar të krijojnë në shkollë një ambient të këndshëm për bashkëmoshatarët e tyre me aftësi ndryshe!

Kryetari i bashkisë i pranishëm në takim, i inkurajoi dhe ju siguroi mbështetjen e institucionit të bashkisë, si dhe i ftoi të jenë sa më kreativ edhe për iniciativa dhe aktivitete të tjera në komunitet.

Bashkia Mirditë pjesëmarrëse në Tourisim & Travel Show Albania 2024

Bashkia Mirditë për herë parë ishte pjesëmarrëse si një nga 100 ekspozuesit, në Panairin e Turizmit “Tourism & Travel Show Albania 2024” të zhvilluar në datat 31 janar- 1 shkurt në Pallatin e Kongreseve.

Me 30 blerës ndërkombëtarë nga e gjithë bota si Kroaci, Itali, Angli, Irlandë, Zvicër, Hollandë, Portugali, SHBA, Indi, panairi i turizmit shërbeu si platforma ideale për përfshirjen e Mirditës në agjendat e operatorëve turistikë, dhe promovimin e saj kundrejt aktorëve publikë dhe privatë të turizmit edhe në nivel ndërkombëtar.
Bashkia Mirditë shpalosi në stendën e saj denjësisht ofertën e saj turistike, potencialin e jashtëzakonshëm të zhvillimit, nëpërmjet turizmit të qëndrueshëm.

“Mirdita, Zemra Magjike, E egër, Romantike e Shqipërisë Qëndrore Veriore” (Mirdita, Magical, Wild Romantic Heart of Central -Nothern Albania) është një nga ofertat turistike kryesore që Mirdita tashmë ofron falë kontributit të pakushtëzuar të znj. Marianne Graff Albania Austria Partnerschaft.

Gjithashtu ofertës turistike të Mirditës i është shtuar “Rruga Kulturore e Mirditës” një projekt i Qendrës Shqiptare për Edukim dhe Zhvillim, zbatuar nga Unops.

Në forumin mbi strategjinë e turizmit dhe qëndrueshmërinë nëpër Bashki, kryetarët e bashkive Mirditë z. Albert Melyshi, Vlorë z. Ermal Dredha, Sarandë z. Oltion Çaci, dhe Lushnje znj.Eriselda Stefa diskutuan e paraqitën mundësitë e planet përkatëse në rrafshin lokal, mbi strategjinë e turizmit të qëndrueshëm, si objektiv që do të udhëheqë qytetet tona, si destinacione kryesore për turistët.

Natyra dhe arti i njeriut e ka bekuar Mirditën me një numër të madh monumentesh natyrore, kulturore, gjeologjike.
Me kushte të përshtatshme klimatike, peisazh të bukur, prodhime bujqësore e blegtorale, traditë kulturore dhe etnografike të larmishme, Mirdita gëzon potencial për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Falenderojmë të gjithë organizuesit që bënë të mundur përfaqësimin e Bashkisë Mirditë në panairin e turizmit: Marianne Graf,Nikolin Jaka, Infokulla Mirdita, Nik Nikolli, Rafaela Rica,Iceberg Exhibitions, UNOPS Albania, EU4Culture Albania, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

 

Veshja tradicionale e gruas Mirditore

Veshja tradicionale e gruas mirditore shpallet ”Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale (shpirtërore)”.

Me propozimin e Unionit Mirdita, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale pasi shqyrtoi dosjen e dërguar, vendosi që kjo veshje e hershme, që pavarësisht mbishtresëzimeve kulturore, ruan një larmi simbolesh të natyrës mitike dhe kultike, të shpallet ”Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale (shpirtërore)”.

Pas shpalljes ”Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale (shpirtërore)”, në një fazë tjetër, mund të përgatitet dosja për në UNESCO.