Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Month: February 2022

Xhenierët ndërtojnë urë “bejli” në Shebe

Pas një pune prej më shumë se një jave, si pasojë e amortizimit të plotë të urës së vjetër të zonës, ku me makina kalohej vetëm nëpër shtratin e përroit, xhenierët e kompanisë së urave të Komandës Xheniere kanë përfunduar me sukses ndërtimin e urës xheniere tip “Bailey” në fshatin Shebe, njësia administrative Kthellë të bashkisë Mirditë, njoftoi më 15 shkurt 2022 Komanda Mbështetëse.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ilir Xhebexhia u shpreh: “Ndërtimi i kësaj vepre prej 18 m e me peshëmbajtje 40 ton është një kontribut tepër i rëndësishëm për lidhjen e komunitetit të kësaj zone, ndaj ju falënderoj sot për punën e palodhur dhe ndërtimin e kësaj ure, e cila nuk është e vetmja pasi kjo kompani vijon punimet edhe në qytetin e Pukës”.

Fillimet e punimeve u ndoqën nga kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj, i cili u theksoi forcave xheniere, se ky kontribut është tepër i rëndësishëm për këtë zonë dhe disa fshatra, dhe për një fakt, pasi e bën lehtësisht të aksesueshëm për komunitetet përkatëse, për më tepër që tashmë, fshatrat e kësaj zone do të përshkohen nga rruga e asfaltuar Rrëshen-Lurë, që sapo ka filluar.

Zëvendëskryetarja e bashkisë Mirditë Vitore Gjini falënderoi forcat xheniere dhe gjeneral brigade z. Xhebexhia për mbështetjen nga Forcat e Armatosura në ndërtimin e kësaj vepre në kohë rekord, e cila shërben në interes të banorëve të fshatrave Shebe, Malaj dhe Trojes në lidhjen e komunikimin për shërbimet e nevojshme në jetën e përditshme, ekonominë, turizmin dhe mos shpopullimin e zonës.