Ambasadorja e Zvicrës, vizitë në Bashkinë Mirditë.
Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri znj. Ruth Huber bëri një vizitë zyrtare në Bashkinë Mirditë. Ajo u prit nga kryetari i bashkisë z. Albert Melyshi, në zyrën e të cilit u organizua dhe një takim pune i zgjeruar. Ambasadorja shoqërohej nga ekipi i Bashkive të Forta, përkatësisht nga Menaxheri i projektit z. Norbert Pijls, dhe znj.Valbona Karakaqi si dhe Koordinatori i projektit z. Bukurosh Onuzi, projekte ku Bashkia Mirditë është përfituese prej disa vitesh.
Takimi konsistoi kryesisht në njohjen e Shkëlqesisë së saj me vizionin dhe strategjitë e zhvillimit të Bashkisë Mirditë.
Fillimisht Z. Melyshi falenderoi zonjën Ambasadore për ndalesën në Mirditë, dhe shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të shtetit të Zvicrës me një sërë projektesh për zhvillimin e Mirditës, dhe jo vetëm. Gjithashtu ai paraqiti dhe sfidat me të cilat ndeshet Bashkia Mirditë, që lidhen kryesisht me buxhetin e ulët që delegohet në raport disfavorizues me numrin e popullsisë, gjë që reflektohet në investime si në infrastrukturë dhe në ofrimin e shërbimeve.
Për nga pikëpamja gjeografike dhe atraksionet natyrore, “Rajoni i Mirditës paraqet një Zvicër të vogël”, theksoi kryebashkiaku Melyshi, prandaj ndër pikat e forta në planet strategjike të zhvillimit që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të këtij vendi janë përcaktuar zhvillimi i turizmit dhe bujqësisë.
Z. Melyshi nuk la pa përmendur dhe lënien në harresë të Burgut të Spaçit, dhe rëndësinë që ka rivitalizimi i tij, jo vetëm si memorie kulturore por edhe si atraksion turistik. Ai u shpreh që do bashkëpunojë me çdo aktor të pushtetit vendor, qendror dhe ndërkombëtar për të zhvilluar Mirditën.
Znj. Ambasadore e përgëzoi kryetarin e Bashkisë për fitoren e zgjedhjeve dhe i uroj suksese në detyrë. Gjithashtu u shpreh me konsiderata të larta për mënyrën sesi janë implementuar projektet e Qeverisë Zviceriane, si menaxhimi i riskut, të ardhurave, mbledhja e taksave apo dhe menaxhimi i mbetjeve. Punë të mira janë nisur dhe bërë por kemi dhe shumë punë për të berë në vijim. Ajo u ndal dhe në funksionimin e shoqatës së bashkive, ku zoti Melyshi ka rol të rëndësishëm, duke nxitur bashkëpunimin dhe me shoqatën tjetër të bashkive për t’u fokusuar tek problematikat e përbashkëta që ndeshin bashkitë e vendit si të një krahu apo krahu tjetër politik.
Vizita vazhdoi me një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të Këshillit të Bashkisë Mirditë. Mbështetja e projekteve Zviceriane për Këshillin e Bashkisë është e dukshme me ofrimin e trajnimeve për ngritjen e kapaciteve të këshilltareve, ku vlen të përmendet dhe mbështetja për transmetimin online të mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë duke e bërë procesin vendimmarrës edhe më transparent.
Në përmbyllje të këtij takimi, u vizitua dhe InfoKulla Mirditë, ku ambasadorja pati mundësinë të njihej më shumë me historinë, traditën, kulturën, pozicionin gjeografik, si dhe zhvillimin turistik dhe ekonomik të Mirditës.