Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Bashkia Mirditë binjakëzim me Komunën San Cosmo Albanese.

Kryetari i Bashkisë Mirditë Z. Albert Melyshi ka udhëtuar drejt rajonit të Kalabrisë, duke vizituar Komunitetin Arbëreshë në Itali.

Të shpërngulur dhe të vendosur në mesjetë në zonën e Kalabrisë nga trojet shqiptare, arbëreshët kanë ruajtur dhe trashëguar gjuhën, zakonet dhe traditat e të parëve siç ka bërë dhe Mirdita ndër shekuj.

Arbëreshi Terenzo Tocci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e kombit tonë, ku me 26 prill të vitit 1911, në Kuvendin Ndërkrahinor të Fanit u deklarua vullneti i shqiptarëve, për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe rezultati i këtij kuvendi ishte krijimi i Qeverisë së Përkohshme të Kimzës.

Me datë 27.09.2024, u nënshkrua marrëveshja e binjakëzimit ndërmjet Bashkisë Mirditë dhe Komunës San Cosmo Albanese, një ngjarje e rëndësishme që forcon lidhjet mes dy komuniteteve.

Marrëveshja thekson potencialin për bashkëpunim në sektorët e historisë, ekonomisë, arsimit, produkteve tipike dhe peizazhit, duke ofruar mundësi të reja për zhvillim në turizëm, ekonomi, si dhe në fushat sociale dhe kulturore.

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e dy bashkive diskutuan mbi iniciativat e përbashkëta që do të nxisin shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e rrugës për projekte që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Mirënjohje ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Begaj dhe miqve të Mirditës që ndihmojnë në bashkëpunime të tilla të frytshme, që synojnë lartësimin e traditave atdhetare dhe zhvillimet kulturore bashkëkohore me Arbëreshët.

Bashkia Mirditë drejt binjakëzimit me Komunën San Cosmo Albanese

Dje, datë 15.06.2024 Kryetari Z.Albert Melyshi mirëpriti në Bashkinë Mirditë, kryetarin e Komunës San Cosmo Albanese Z. Dammiano Baffa.

Z. Baffa shoqërohej nga Z. Ernesto Madeo, Komisar i Fondacionit “Instituti Rajonal për Komunitetin Arbëresh të Kalabrisë”, Z. Valerio Caparelli, Konsulent i Fondacionit Arbëreshë, Z. Costandinno Baffa, Përfaqësues i Ambasadës Italiane në Shqipëri, Z. Klement Zguri, Këshilltar Ligjor i Presidentit të Republikës së Shqiperisë.

Vizita u zhvillua në kuadër të diskutimeve të
përbashkëta për proçesin e binjakëzimit të Bashkisë Mirditë me Komunën San Cosmo Albanese.

Vlerat shoqërore dhe kulturore si dhe elementet tradicionalë e kanë bashkuar ndër shekuj Shqipërinë me komunitetin e saj Arbëresh në Itali, ku ndër të tjera, vlen të përmendet dhe kontributi i Arbëreshit Terenzo Tocci në Kuvendin Ndërkrahinor të Fanit, të datës 26 prill të vitit 1911 ku u deklarua vullneti i shqiptarëve për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe rezultati i këtij kuvendi ishte krijimi i Qeverisë së Përkohshme të Kimzës.

Nën moton “ Bashkë jemi më të fortë” palët shprehën angazhimin maksimal që elementët përbashkues si historia , natyra, tradita dhe kultura të përkthehen në zhvillim ekonomiko-social të të dy komuniteteve.

Vizita Zyrtare e Presidentit të Republikës së Shqipërisë SH. T. Z. Bajram Begaj në Mirditë.

Me datë 16.05.2024 Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Mirditë.

Ndalesa e parë ishte Bashkia Mirditë ku u prit nga Kryetari i Bashkisë Z. Albert Melyshi.

Bashkë me përfaqësues të institucioneve, sipërmarrës, klerikë e banorë të kësaj zone gjatë vizitës, u diskutua mbi problematikat që shqetësojnë sot qytetarët, si dhe mundësitë për zhvillimin e Mirditës.

Z. Begaj e konsideroi Mirditën, si nyje komunikimi jo vetëm me Shkodrën e Lezhën, por dhe me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. “Mirdita është një pasuri e Shqipërisë, për shkak të historisë, kulturës, trashëgimisë, jo vetëm historike, kulturore e sociale, por edhe asaj shpirtërore”.
Vizita vijoi në Pallatin e Kulturës Rrëshen, me Muzeun Etnografik dhe Muzeun e Bandës Frymore, ku artistët dhe fëmijët e QKF-së përshëndetën me pjesë muzikore.
Gjithashtu, u zhvillua një bisedë me gratë artizane të zonës, për trashëgimin e traditës së veshjeve te brezat e rinj.

Vizita vijoi në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, që përgatit nxënësit në profesione si: elektricistë, hidraulikë, saldatorë, infermierë, hotelierë.
Gjatë vizitës u ndalën dhe te Kantina Arbëri e cila përfaqëson më së miri traditën e hershme të trevës së Mirditës në kultivimin e vreshtit dhe prodhimin e verës, për të vijuar më tej me InfoKullën, si qendër promovimi të Mirditës.


Kreu i shtetit vizitoi dhe Kishën e t’Shëlbuemit Rubik, pikturën e së cilës para pak ditësh ia dhuroi Papa Françeskut në Vatikan.
Sipas tij, kjo trevë duhet të përfshihet në paketën e turizmit patriotiko-fetar-historik. “Nëse ka një vend në Shqipëri, ku ne mund të bëjmë një turizëm të lidhur me religjionin, me pasurinë e kishave, është Mirdita”, – u shpreh Presidenti sipas së cilit, mirditorët kanë çfarë t’u tregojnë shqiptarëve dhe botës përmes promovimit të historisë.
Kryetari i Bashkisë Z. Albert Melyshi e falenderoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë Z. Begaj për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar Bashkinë Mirditë në adresimin e problemeve, si dhe lobimit për projekte që do të sjellin zhvillimin që Mirdita meriton.

Lajm !

Përfaqësues të Dhomës Zejtare të Dortmundit dhe të Shkollës së Mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” u pritën në një takim zyrtar nga kryetari i bashkisë Mirditë z. Albert Melyshi.Aktualisht Dhoma Zejtare e Dortmundit në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë po implementojnë në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” projektin federal për zhvillimin dhe promovimin e partneritetit të arsimit profesional.

Ky projekt është i financuar nga Ministria Federale për Zhvillimin Ekonomik dhe Punësimin.

Kryetari i Bashkisë i falenderoi për mbështetjen e zhvillimit të arsimit profesional në Mirditë, duke ju dhënë mundësinë të rinjve që të marrin një profesion dhe të integrohen në tregun e punës.

Gjatë takimit u diskutua dhe për mundësi të tjera bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Mirditës.

 

Hapja Zyrtare e Projektit EFFORT

Me datë 18 prill është shënuar hapja zyrtare e projektit EFFORT-Përmirësimi i objekteve për një të ardhme me një trajektore optimale të burimeve dhe efiçencës së energjisë (Përpjekja)”.
Ky projekt zbatohet nga Bashkia Mirditë, Komuna Junik , Co-PLAN dhe bashkëfinacohet nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit Cross-border programme
Albania – Kosovo, Pre-Accession Assistance (IPA II).

Projekti EFFORT do të mbështesë bashkinë Mirditë dhe Komunën Junik për të përqafuar tranzicionin e gjelbër dhe për t’u përafruar më tej me standardet mjedisore të BE-së, duke përmirësuar efikasitetin energjetik të ndërtesave publike në të dy bashkitë dhe duke ulur ndjeshëm konsumin e energjisë përmes instalimit të pajisjeve inovative si dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të
ndërtesave.
Projekti synon gjithashtu të lehtësojë shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në lidhje me efiçiencën e energjisë ndërmjet dy bashkive, duke promovuar kështu bashkëpunimin ndërkufitar. Në këtë
kuadër, do të zhvillohen shkëmbime bashkëpunuese ndërmjet shkollave profesionale, punonjësve të njësive të qeverisjes vendore nga drejtoritë përkatëse dhe ekspertëve të industrisë, me qëllim nxitjen e përpjekjeve kolektive drejt arritjes së një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Albert Melyshi, mbajti fjalën e hapjes dhe përshëndetjes së bashku menënkryetarin e Komunës së Junikut z. Besart Tofaj dhe përfaqësuesin e Delegacionit Evropian në Shqipëri, Z. Jean-Noel Gangloff.Aktiviteti i hapjes u ndoq gjithashtu nga përfaqësues të lartë nga institucionetqendrore dhe vendore në Shqipëri dhe Kosovë që punojnë në sektorin e energjitikës, mjedisit , arsimit dhe menaxhimit publik.

Ekspozita “E kaluara e Tashme” në Spaç, Mirditë.

Me datë 13.04.2024 u hap ekspozita “E kaluara e Tashme” në Spaç, Mirditë.

Ish- Burgu i Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve të guximshëm që luftuan për liri dhe kundër tiranisë, dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje.

Tashmë 49 portretet e ish-të burgosurve që janë ende gjallë, bashkë me rrëfimet e tyre janë vendosur dhe janë të hapura për vizitorët.

Rrëfimet e tyre na shërbejnë ne si shoqëri për të reflektuar dhe mësuar nga e kaluara, në mënyrë të tillë që ajo të mos përsëritet.

Ekspozita u konceptua në kuadër të projektit”Kultura për Zhvillim të Qëndrueshëm: Potenciali i Pashfrytëzuar”. realizuar nga Tek Bunkeri.

Ekspozita e piktores Keisi Pepkolaj.

 Në Rrëshen u zhvillua ekspozita e piktores Keisi Pepkolaj.

Personalitete të rëndësishme si: Drejtoresha e USAID në Shqipëri Znj. Mischere Kawas, Prefekti i Qarkut Lezhë, Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, Kryetari i Bashkisë Mirditë, N/Prefekti Mirditë , Drejtori i Zyrës Vendore Arsimore Mirditë, si dhe Drejtori i Trashëgëmisë Kulturore dhe Turizmit Bashkia Mirditë, ishin të pranishëm dhe përshëndetën Keisin për talentin dhe pikturat e saja të mrekullueshme.
– Pas ekspozitës u zhvillua dhe një takim me Drejtoreshën e USAIDI-it, ku u diskutua mbi sfidat, problematikat, dhe projektet zhvillimore në Mirditë.
Në shenjë mirënjohje për kontributin e USAID ndër vite në Mirditë, Znj. Mischere Kawas iu dhurua Stema e Bashkisë Mirditë nga Kryetari z. Albert Melyshi.

 

Nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit për dy projekte të rëndësishme në zhvillimin e Mirditës

Bashkia Mirditë ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për dy projekte të rëndësishme për zhvillimin e Mirditës.

Projekti i parë, “EFFORT”
Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Co Plan janë bashkëpërfituese të projektit EFFORT – Enhancing Facilities for a Future with an Optimal Resource and Energy Efficiency Trajectory, në programin ndërkufitar Shqipëri -Kosovë, asistencë financiare në kuadër të IPA II (Instrument për Asistencën e Paraderimit), financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti synon përmirësimin e efiçencës energjetike të ndërtesave publike në të dy njësitë vendore Mirditë -Junik si dhe zvogëlimin e ndjeshëm të konsumit të energjisë, duke instaluar pajisje inovative dhe duke promovuar më tej praktikat e qëndrueshme të menaxhimit të ndërtesave.
Ky projekt do të sjellë mundësi për të përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të Mirditës, rritje profesionale të nxënësve të shkollave profesionale, efiçencë energjetike dhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

Projekti i dytë, “Mirdita Junik”
“Mirdita Junik” është një përpjekje e përbashkët me CHwB Kosova, Bashkisë Mirditë, Komunës Junik dhe Qendrës UET.
Ky projekt synon të krijojë një infrastrukturë turistike të qëndrueshme në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke kontribuar në rritjen ekonomike të komuniteteve lokale, duke ofruar mundësi punësimi për qytetarët dhe duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore dhe natyrore të rajonit.

Ditën e premte, datë 26.01.2024 në Bashkinë Mirditë u zhvillua takimi fillestar ndërmjet palëve përfituese të këtyre dy projekteve. Kryetari i Bashkisë Mirditë Z. Albert Melyshi mirëpriti Kryetarin e Komunës së Junikut Z. Ruzhdi Shehu, Drejtorin e Trashëgëmisë Kulturore pa Kufij në Kosovë Z. Sali Shoshi dhe Drejtoreshën e Co PLAN Znj. Anila Bejko.
Takimi konsistoi në prezantimin hyrës të partneritetit dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit.