Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe  Ambasadori austriak në Shqipëri Dr.Johann Sattler, vizituan ditën e sotme Info-Kulla Mirdita në Rubik.

Kryetari i Bashkisë, z.Ndrec Dedaj priti Ambasadorët, ndërsa më pas ata vizituan mjediset e Info Kulla Mirdita, një partneritet turistik ngritur falë bashkëpunimit të Bashkisë Mirditë me Albania Austria Partnerschaft – Marianne Graf. Vlahutin dhe Sattler mbetën të impresionuar nga përmbajtja e kësaj pike info turistike e llojit të veçantë në Shqipëri si dhe nga mënyra e kompozimit dhe arredimit me bazë traditën e Mirditës dhe rajoneve të tjera të Verilindjes në çdo pavion dhe eksponatë.

Ambasadorja e BE-së ishte e interesuar për itineraret turistike për çdo zonë të Mirditës, ndaj ajo është shprehur se pos përpjekjeve të qeverisjes lokale, BE do ndihmojë me fonde për zhvillimin e mëtejshëm. “Jemi këtu për të parë se si mund të ndihmojme duke ja bërë të ditur të gjithë Evropës se çfarë bukurish ka këtu dhe gjithashtu po shohim mundësinë se si mund të asistojmë nëpërmjet shtigjeve të cilat mund të krijohen në zona më të thella dhe për të integruar të gjithë potencialin turistik që ofron rajoni këtu.” u shpreh znj.Vlahutin.

Ambasadori austriak Sattler u shpreh se është një ditë e vecantë që jam këtu, duke kujtuar dhe marrëdhëniet e kahershme në mes Austrisë dhe Shqipërisë dhe veçmas Mirditës. Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj, falenderoi amabsadoren e BE-së znj. Vllahutin si dhe ambasadorin austriak z. Sattler, ndërsa theksoi se vëmendja e vazhdueshme e tyre është obligim i mëtejmë i bashkisë që drejton për t’a orientuar aktivitetin e komunitetit drejt turizmit të qëndrueshëm malor për shkak të pasurive të mëdha që gjenden në relievin karakteristik të Mirditës në të gjithë territorin e vet.

“Ky bashkëpunim me zonjën Graf, na ka bërë të kuptojmë se me ndihma të tilla humane dhe sens të lartë e të kualifikuar sa i përket sektorit turistik, mund të arrijmë të bëjmë të mundur realizimin e strategjive tona zhvillimore në çdo fshat çka do të sillte dhe uljen e papunësisë dhe varfërisë si dhe do të ndikonte në prosperitetin e krahinës.” tha Kryetari i Bashkisë.

DSC07121
DSC07143
7
12
11
9
8
1
2
3
4