Është mbajtur ditën e sotme dëgjesa publike në kuadër të “Fazës së dytë për përgatitjen e Planit të Përgjithshëm Vendor” në ambjentet e Pallatit të Kulturës në qytetin e Rrëshenit.

Qëllimi ishte informimi dhe diskutimi për hartimin e PPV-së për të gjitha palët e interesuara.

Gjatë dëgjesës publike, studio e cila harton PPV-në GAIA SA, në bashkëpunim me bashkinë Mirditë, prezantoi  Dokumentin e Strategjisë Territoriale të PPV-së, në kuadër të Fazës së II-të të Planit.

Sipas hartuesve të planit prioritetet kryesore janë: Turizmi, Vreshtaria, dhe Agroturizmi. Gjithashtu ata theksuan se i gjithë plani ishte produkt i dëgjesave me qytetarët, dhe nevojave që ata kishin për shërbime. Qëllimi kryesor sipas tyre, ishte parashikimi i nevojave  që ka Mirdita për 15-vitet e ardhshme.

Ndërkohë nuk munguan mendimet dhe sugjerimet e publikut në lidhje me Planin, ku shumica e tyre shprehën dakordësinë për mënyrën e planifikimit dhe hartimit.

Gjithashtu u paraqit edhe vizioni i zhvillimit, objektivat strategjike të planit dhe drejtimet për zhvillimin e territorit. Në këtë fazë u prezantuan programet dhe projektet kryesore pilot të cilat zbërthejnë strategjinë dhe hapat konkrete, që duhet të ndërmarrë bashkia në vijim.

degjesa2
degjesa3