Pas 80 viteve, pikërisht në vendin ku u mbajt greva e minatorëve dhe punonjësve të Rubikut, që punonin për llogari të konçensionarit italjan të kohës SIMSA (1938) në shfrytëzimin dhe shkrirjen e bakrit,  bashkia Mirditë nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kryetarit të saj Ndrec Dedaj, organizuan kremtimin jubilar, që mori përmasa përkujtimore dhe festive.

I gjithë lajtmotivi i këtij organizimi kishte të bënte me sjelljen në kohët e sotme të “gurit të besës”, që lidhi sëbashku në besa-besë 400 punëtorë e minatorë të Rubikut e Dervenit për plotësimin e kërkesave të tyre lidhur me shpërblimin, kohën e punës dhe detyrime të tjera të sipërmarrësit të huaj. Kjo ishte dhe një ndër dallëndyshet e para të sindikalizmit shqiptar.

Tubimi përkujtimor u hap me ceremonialin tek Lapidari, që e përkujton këtë grevë të famshme në Shqipëri, ku sindikalistë, ish-metalurgë e minatorë, punëtore të viteve dhe qytetarë të shumtë kryen nderimet e tyre në përkujtim të grevës së para 80 viteve, ndërsa u vendosën kurora me lule në emër të bashkisë Mirditë, sindikatave, si dhe tufa të shumta me lule nga ish-metalurgë e drejtues të metalurgjisë dhe uzinës ndër vite.

Fjalën e hapjes e mbajti dejtuesi i sindikatës së ish-metalurgëve dhe minatorëve për Rubikun Gjon Nikolli, i cili falenderoi bashkinë për këtë organizim perfekt në këtë përvjetor, duke sjellë dhe detajet e grevës së para 80 viteve, por dhe kërkesat e sotme për minatorët, metalurgët dhe punonjësit e minierave, për të cilët kërkohet një interesim më i madh i strukturave shtetërore.

Taf  Koleci, drejtues i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, duke sjellë dhe përshëndetjen e kreut të KSSH-së, Kol Nikollaj, bëri një pasqyrë të punës së sindikalizmit shqiptar dhe kryesisht në sektorin e minierave, duke e quajtur sukses faktin që në prag të kësaj ngjarje, është futur në udhë të mbarë statusi i minatorit etj. Ai përgëzoi bashkinë Mirditë për një organizim të tillë model dhe foli për nevojën e rritjes së veprimit të sindikalimzit shqiptar në ditët e sotme.

Përshëndetje të veçantë bëri dhe  Enis Aliko, zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili bëri me dije se tashmë do të ketë një vëmendje të shtuar edhe ndaj ish-Uzinës së Rubikut, për rivitalizimin e objekteve për të cilin është alokuar një fond i veçantë e që së shpejti do të fillohet nga puna. Kjo do ta bëjë më tërheqëse këtë qendër industriale për investitorët e ndryshëm të vendit apo të huaj.

Kryetari i Këshillit të bashkisë Mirditë, Pjetër Pjetri, përshëndeti në emër të bashkisë, duke u shprehur se kjo ngjarje e madhe e sindikalizmit, përbën dhe një aset të çmuar përkujtimor për brezat, ndaj bashkia e sheh atë dhe si trashëgimi, që i shërben Mirditës dhe mirditorëve por dhe më tej, ndaj veprimtari të tilla do të jenë gjithnjë në fokus të kësaj bashkie.

Aktiviteti përkujtimor në qendrën kulturore

Më pas veprimtaria është shtrirë në qendrën kulturore “Abat Prend Doci”, ku u kumtua, fol dhe rrëfye më gjerë për këtë ngjarje të madhe sindikaliste para 80 viteve.

Fillimisht artistët e ansamblit Mirdita, të prirë me “gurin e besës”  nga aktori kryesor i filmit Guri i Besës, Llesh Nikolla, realizuar në këtë uzinë me personazhe nga Mirdita dhe kryesisht metalurgët si figurantë ku dhjetra prej tyre ishin aty në sallë, kaluan dorë më dorë në mënyrë simbolike “gurin e besës”  po si ato vite, duke vazhduar në sallë përmes një emocioni tejet të madh.

Kumtesën kryesore për këtë ngjarje, e mbajti ish-metalurgu dhe drejtuesi i vjetër i uzinës Ndue Gega. Duke evokuar historinë e atyre viteve, ai tha se Legjenda e pirustëve të lashtësisë apo e minatorëve mesjetarë të minierave të Bulgjrit e të Fandit do të rilindte edhe një here aty nga vitet ’30-të. Një gjeolog shkodran, i quajtur Zef Boriçi, i ati i Loros së famshëm të futbollit, do të trokiste çekiçin e gjeologut në kërkim të xeherorëve të fshehur të bakrit. Kërkimi i tij prihej nga studimet e gjeologëve të huaj si Nopça, Novak etj.

Shpejt, nga mesi i viteve tridhjetë u shfaq një sipërmarrje italiane e interesuar pë shfrytëzimin e mineralit të bakrit të sapozbuluar. Qeveria e Zogut i dha asaj me 30 mars 1938 të drejtën për shfrytëzimin e minierës së re shoqatës italiane “SIMSA”. Një sipërfaqe prej 17 hektar tokë ju dha me konçension për 99 vite. Italianët ngritën në breg të Fanit një qytezë me pak ndërtesa njëkatëshe. Nga përtej Adriatikut erdhën specialistët dhe pajisjet  për të punuar në minierë e në shkritore. Drejtori, teknikët, fonditorët ishin të gjithë italianë. Kurse vendasit ishin thjeshte punëtorët e nëntokës, punëtorët e punëve të rënda në puset e  galeritë e minierës së Rubikut dhe të Dervenit.

Puna në minierë ishtë mjaft e rëndë dhe e vështirë. Galeritë dhe puset kishin shumë ujë. Çdo punë kryhej vetëm me forcën e krahëve. Nuk kishte mekanizma. Galeritë dhe frontet e punës ishin pa armatura mbrojtëse dhe shëmbeshin shpesh duke rrezikuar jetën e minatorëve. Pronarët dhe administratorët e ndërmarrjes nuk e vrisnin mendjen për kushtet dhe sigurinë në punë. Punohej trembëdhjetë orë në ditë dhe paguheshin 5 lekë për ditë pune. Nuk kishin as kushtet më minimale për t’u ushqyer dhe për të pushuar pas punës. Ndërkohë që për kuajt e tyre italianët kishin ndërtuar stalla në të cilat u shërbehej më mirë se minatorëve, kurse ketë të fundit detyroheshin të pushonin e flinin jashtë duke shtruar dushk në vend të dyshekut. E për fjetore kishin hapsirat nën këmbët e urës se Fanit.

Ky shfrytëzim i pashembullt bëri që të sosej durimi. Minatorët pak nga pak po ndërgjegjësoheshin se duhej luftuar me çdo mjet për të drejtat e tyre, për bukën e gojës, për kushtet e jetesës dhe të punës, për familjet e tyre. Kësisoj vështirësitë  i mësuan të organizohen. Në fshehtësi ngritën këshillat punëtore sipas brigadave dhe sektorëve. Me 7 Gusht 1938 në mbrëmje minatorët Mark Preng Mark Zefi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Ndue Llesh Ndoka, Llesh Mark Ndoj, Ndrec Ndue Lleshi, Nikoll Preng Nikolli dhe Gjergj Marena u takuan me minatorët dhe iniciuan grevën. Punëtorët zbritën nga Kulmja në Rubik, pasi të nesërmen me 8 Gusht 1938 u vendos që të fillonte greva. Grupit nismëtar iu bashkuan edhe Ndue Geg Përlala, Gjin Mark Lleshi (Doda), Mark Preng Buba dhe Pjetër Preng Biba nga Lugjet.

Me 8 Gusht në mëngjes minatorët bllokuan zyrat e drejtorisë së ndërmarrjes. Drejtuesit italianë u befasuan nga një organizim i tillë i të gjithë minatorëve, ndaj dhe deshën të largoheshin, por minatorët nuk i lejuan pa marrë në konsideratë kërkesat e tyre e për t’i dërguar ato në Tiranë. Presioni i minatorëve i detyroi sipërmarrësit të merrnin në konsideratë, kërkesat të cilat ishin:

  1. Ulje e kohës së punës ditore nga 13 në 10 orë në ditë.
  2. Rritje e pagës nga 5 në 6 lekë në ditë.
  3. Plotësim i kushteve të punës dhe jetesës.
  4. Të drejtën e pushimit javor e mujor dhe e festave fetare.
  5. Garantimin për punë të pandërprerë të punëtorëve.

Gjendja që u krijua tronditi jo vetëm sipërmarrësit italianë, por ajo befasoi dhe qeverinë e Ahmet Zogut, pasi kërkesat e minatorëve ishin të prera. Rol të rëndësishëm në këtë lëvizje luajtën këshillat punëtore që për atë kohë ishin kryesitë sindikaliste të Shqipërisë. Minatorët kishin kërkuar me forcë, se nëse përgjigja e ardhur nga lart, nuk do t’ua zgjidhte problemet e ngritura, puna nuk do të fillonte më në minierë.

Të detyruar nga kjo gjendje, Prefektura e Shkodrës i bën telegram Ministrit të Punëve të Brendshme me nr. 486, ora 1930, të po asaj dite ku i thoshte se: ”Nënprefektura e Lezhës na njofton që 400 punëtorë të Rubikut dhe Kulme-Dervenit janë hedhur në grevë”. Në përgjigjen e dërguar menjëherë komandantit të Lezhës, me 20 xhandarë për të ndaluar grevën; përgjigje që nuk bëri efekt pasi minatorët kishin lidhur besën. Simboli i gurit të besës i vendosur në një kësulë të bardhë u kalua dorë më dorë nga të 400 minatorët, së bashku me betimin se puna nuk do të fillonte derisa të plotësoheshin të gjitha kërkesat.

Greva, jo vetëm që nuk u ndalua, por vazhdoi për 4 ditë rresht. Si shenjë revolte, minatorët hodhën edhe makinën e drejtorit në urën e Rubikut, pasi nga ana e tij nuk erdhi asnjë përgjigje lidhur me  kërkesat e tyre. Më në fund duke parë këmbënguljen e grevistëve dhe ngjarjet që po ndodhnin, pronarët u detyruan të fillonin t’u jepnin zgjidhje kërkesave të punëtorëve. Më 12 Gusht 1938, greva e minatorëve u mbyll jo vetëm duke arritur objektivat, por duke shënuar mirditorët e besës si nismëtarë  të të parës grevë të vërtetë të një klase punëtorë, që po lindte në Shqipëri.

Megjithëse mjetet e komunikimit në atë kohë ishin të pakta, jehona e kësaj greve u dëgjuan në mbarë vendin. Për këtë ngjarje erdhën përshëndetje nga naftëtarët e Kuçovës, minatorët e Selenicës dhe Mborje-Drenovës të Korçës.

Pas kësaj kumtese të zgjeruar, floën dhe rrëfyen histori edhe ish metalurgë të tjerë si dhe drejtues.

Vasil Pashko, ish-inxhinieri i talentuar ndër vite në Rubik kishte ardh nga Korça me gjithë vitet e shumta mbi shpinë, për të rrëfyer histori të asaj kohe dhe punën e bërë ndër vite në këtë metalurgji dhe uzinë. I befasuar nga një organizim i tillë, ai solli ne memorie me një enumuracion të shumtë punëtore e metalurgë emër për emër si dhe momentet kyçe të zhvillimit të industrisë së bakrit në Mirditë si një nga asetet kryesore ekonomike të vendit për kohën.

Lek Shtinja, kryetar i shoqatës së ish të burgosurve politikë, dhe djali i një prej organizatorëve kryesorë të kësaj greve, Nikoll Bajraktari, falenderoi bashkinë për këtë organizim, por u bëri thirrje sindikalistëve për të rritur frymën e tyre edhe ndaj fenomeneve “shfrytëzuese”’ në kohë të reja, si dhe faktin që sindikatat nuk duhet të jenë mekanizma të përkulur të pushteteve të rradhës, por t’u përkulen vetëm punës dhe djersës së punëtorëve në çdo sektor.

Nikoll Gjoka, solli përshendetje nga minatorët e zonës së Pukë-Munellë duke bërë një retrospektivë të punës së bërë ndër vite në këto rajone.

Një përshendetje e vecantë erdhi nga Zef Cara, 97 vjeç, i cili kishte shënuar në detaje kontributorë ndër vite në metalurgji, miniera dhe uzinë ku ai dhe ka punuar e drejtuar, po ashtu dhe si drejtues i kohës për Mirditën.

Në emër të kryetarit të bashkisë Mirditë si organizator i  drejpërdrejtë, përshëndeti sekretari i Përgjithshëm i bashkisë Mirditë, Nikoll Gjikolaj. Ai tha se për këtë ditë është menduar mirë që të ishte një organizim model, simbolik por dhe domethënës. Qyteti i Rubikut, edhe pse nuk e ka aktive këtë industri,  nuk mund të mendohet pa të. Kjo është një trashëgimi që bashkia do e  ketë në orientimin e saj për rivitalizimin trashëgimor dhe kthimin në një aset të dobishëm për qytetin dhe banorët e zonës.

Më pas disa prej artistëve të Ansamblit Mirdita (Mjeshtër i Madh), ku e ftuar ishte dhe këngëtarja e njohur Ertila Koka, dhanë një program artistik të pasur me këngë, valle, orkestrale, duke e bërë edhe më kreative këtë 80 vjetor të ngjarjes së madhe për Rubikun e më gjërë.

Kjo ditë, mund të shënohet kësisoj edhe si një lloj rekuiemi për “Gurin e Besës”, që ashtu si para atyre viteve kaloi dorë më dorë duke hyrë në histori. Një gur bese në trevën e mirënjohur të besës. Një gur bese që ka nevojë të zgjojë fort edhe në ditët e sotme sindikalizmin shqiptar.

1
2
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17