Nga: Ndue DEDAJ, shkrimtar.
Janë mbushur njëqind e pesëmbëdhjetë vjet prej ditës kur çeli dyert shkolla e parë shqipe e Rrëshenit, në tetor të vitit 1900. Për nëntrevën mirditore të Kthellës ky ishte një rast i papërsëritshëm, pasi ajo e niste shekullin e ri, modern me shkollën e vet. Teksa vetëm një vit më parë, me 1899 ishte hapur shkolla e Oroshit. Ndërkohë që vazhdonte të përgatiste seminaristë Kuvendi Françeskan i Rubikut, një shkollë e arsimit të mesëm. Udhërrëfyesja e shkollave veriore në periudhën e Pavarësisë do të ishte shoqëria letrareNdue DEDAJ “Bashkimi” në Shkodër, e udhëhequr nga Abati i Mirditës Imzot Prend Doçi, rast unik kur një drejtues kishe në Malin e Shenjtë drejtonte dhe elitën kulturore të metropolit kulturor të kohës, siç ishte Shkodra e Gurakuqit, Idromenos, Fishtës etj.

Shkolla e Rrëshenit është hapur njëherësh me shkollën e Milotit, ku lidhur me çeljen e tyre ka një korrespondencë zyrtare disamujore midis Imzot Pjetër Biankit, Argjipeshkvit të Durrësit dhe Konsullit Austro-Hungarez në Shkodër, Theodor Ippen. Ajo është përcjellë përmes monografisë së Imzot Frano Illisë me titull “Famullia e Milotit”, mbetur në dorëshkrim për disa dhjetëvjeçarë, deri sa pa dritën e botimit para pak vitesh.

Është i kuptueshëm bashkëpunimi mes dioqezave shqiptare dhe Austrisë në atë periudhë, pasi Austria vazhdonte prej motesh të ishte fuqia mbrojtëse e kultit në vendin tonë dhe shkollat e reja që hapeshin në Veriun shqiptar njëra pas tjetrës, shtypja e librave shkollorë, pagesat e arsimtarëve financoheshin nga Vjena. Të drejtat e Austrisë mbi katolikët shqiptarë i njihte dhe Selia e Shenjtë, ku për këtë qëllim në vitin 1855 qe realizuar Konkordati mes tyre, sipas të cilit Vjena do të kishte nën kujdes institucionet fetare, përkrahjen e klerit, hapjen e shkollave etj. (Jahja Drançolli, Kontributi i klerit katolik dhe Kongresi i Manastirit (pjesa e dytë), 02. O5. 2014.)

Në këtë vazhdë, konsullit Austro-Hungarez Ippen, i bëhet më dije se në qershor të vitit 1900 dy qelat, e Milotit dhe e Rrëshenit, ishin krye plotësisht së ndërtuemi e tashti po mendohet për me gjetë mësues të aftë civilë për të fillue mësimet. (Frano Illia, Famullia e Milotit, 2006, f. 43.) Por ngrihej shqetësimi se nji gja të tillë nuk do ta lejonte qeverija turke. Ipeshkvi Bianki (Bardhi) i kërkon Konsullit: “Nëse Zotnija e Juej ka besim se mund t’i hidhni poshtë kundërshtimet që lehtësisht mund të bajë qeverija, unë s’kam kundërshtim që shkollën e Rrëshenit t’ia apin ndonji civili t’aftë, por që të jetë i pajisun me dokumenta të sjelljes së mirë morale”. (Frano Illia, po aty, f. 44.) Ashtu siç pritej, administrata otomane nuk do të pranonte asesi që të lulëzonte ABC-ja ndër shqiptarë, ndaj klerikët atdhetarë do ta “fshihnin” shkollën pas Ungjillit, siç kishin bërë gjatë gjithë mesjetës.

Kur u pa se qeveria nuk do ta lejonte hapjen e shkollave të mësipërme, atëherë u vendos që mësuesit të mos ishin civilë, por meshtarë. Kështu për shkollën e parë të Rrëshenit si “mësues efektiv” u caktua Dom Mark Vasa, i cili do të ishte dhe famullitar i vendit. Atë e kishte emëruar si mësues Sinodi Dioqezan i muajit shtator të atij viti dhe shkolla do të hapej në tetor, në qelë. Nga Bianki relatohet se Vasa ishte një “meshtar krejt i përshtatshëm për të krye detyrën delikate të mësuesit, i pajisun me cilësitë e duhuna për t’i dhanë rinisë nji edukatë të mirë morale e mendore. (Frano Illia, po aty, f. 44.) Dom Mark Vasa më pas do të shërbente në Vlorë si famullitar i qytetit, ku do të kishte një rol dhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor 1912, saktësisht në stilizimin e flamurit kombëtar që do të ngrihej me atë rast, për të cilin pati rrugëtuar deri në Kalabri.

Karl Shtainmetc, që kalon në Rrëshen në vitin 1905, përmend dhe shkollën, çka do të thotë se ajo vazhdonte të funksiononte prej pesë vitesh. (K. Steinmetz, “Nga Adriatiku në Drin të Zi”, daktilografim i Institutit të Historisë Tiranë.) Por, ashtu si shkollat e tjera të kohës, do të kishte dhe ajo vështirësitë e saja për një funksionim normal, ku do të kishte dhe ndërprerje të mësimeve, për shkak të luftërave të fillim shekullit XX, mungesës së stabilitetit të qeverive dhe të buxheteve për arsimin. Megjithatë në bazë të dokumenteve arkivore, qëmtuar në Arkivin Qendror të Shtetit nga historianët e trevës, përvijohet rruga humaniste e kësaj shkolle, në radhë me shkollat e tjera të rajonit të Mirditës.

Ajo i ndërpret mësimet gjatë Luftës së Parë Botërore, për pesë vjet, bashkë me shkollën e Oroshit dhe të Spaçit, nga viti shkollor 1915-1916 deri në vitin shkollor 1920-21, kur do të rihapeshin jo vetëm ato të tria, por dhe shkollat në Kaçinar, Rubik e Kashnjet. Ndërkohë, në prill të vitit 1918, ishte hapur e dyta shkollë në krahinën e Kthellës, ajo e Perlatit me 20 nxënës, me mësues priftin Dom Prend Malaj. (Simon Prendi, Historia e arsimit në Mirditë, Tiranë 2014, f. 40.) Në vitin shkollor 1923-1924 si mësues i shkollës së Rrëshenit përmendet Dom Hast Jaku, kurse një vit më vonë, 1924-1925, mësues është Nikollë Ndoj (Shtija), i derës së bajraktarit të Kthellës Rrëshen (Jezull), që kishte mësuar në Insbruk të Austrisë, i cili me sa dimë vazhdon gjatë aty si mësimdhënës.

Në vitin shkollor 1928-1929 shkolla e Rrëshenit kishte 35 nxënës dhe vinte pas asaj të Oroshit e Fanit, me nga 50 nxënës secila. Këto shkolla në themel të tyre kishin “këndim, shkrim, numëratore dhe mësim besimi”. (Zef Mark Harapi”, “Arsimi në Mirditë”, Hylli i Dritës, nr. 11, 1931, f. 654-56.) Edhe gjatë viteve ’30 shkolla fillore e Rrëshenit vazhdon të ketë një numër mesatarisht prej 40 nxënësish. Ajo nuk i ndërpreu mësimet as gjatë Luftës II Botërore, duke arritur deri në 63 nxënës në vitin 1941. (Simon Prendi, po aty, f. 64.) Megjithatë duhet thënë se shkollat e Mirditës me fizionomi të plotë ishin seminari françeskan i Rubikut dhe Konvikti “Mirdita” i Oroshit, me 100-150 nxënës nga të 12 bajrakët dhe 4-5 mësues, kryesisht shkodranë.

Shkolla fillore pesëvjeçare e Rrëshenit jo gjithnjë kishte qendruar në qelë, për pak kohë qe vendosur në një ish-kazermë ushtarake në vendin e quajtur “Fusha e Liqenit”, e cila thirrej kështu ngaqë në fundin e saj krijohej një hurdhë e madhe, më tepër si l’gjatë, që mbushej me uji sa herë binte shi. Në vitin shkollor 1940-41 shkolla fillore, me 20 nxënës në klasën e parë, është shpërngulur nga qela e Kodër Rrëshenit për në Rrëshen, që njihej dhe si “Fusha e Lumthit”, ku ishte qendra e komunës së Kthellës. Shkolla u vendos në një godinë të vogël njëkatëshe, që kishte qenë përdorur si stacion pyjor e do të përdorej dhe si Komitet Ekzekutiv. Ish-nxënësit e asaj kohe, sot kaluar të 80-t, kujtojnë se si kanë mbajtur në krah bangat dhe orenditë e tjera të shkollës, dhe pse ishin të vegjël.

Në vitet 20-30 mësues të shkollës së Rrëshenit kanë qenë Nikollë Ndue Shtia (Bajraktari), Ali Domi nga Elbasani, Prengë Pjetër Filopati, Gjon Mark Ndoj etj. Shkolla u bë qendër metodike e zonës, ku nën drejtimin e kryemësuesit Prengë Filopati ushtroheshin mësuesit e rinj Gegë Bardhoku, Nikollë Përgjetani e të tjerë, që do të shpërndaheshin në shkollat e Nënprefekturës së Mirditës fill pas Luftës së Dytë Botërore.

Deri në vitin 1944 Rrësheni ka qenë komunë, zyrat e së cilës ishin në një godinë njëkatshe, që pas Luftës u iu shtua dhe kati i dytë dhe u përdor si Degë e Punëve të Brendshme. Kryetar i Komunës së Rrëshenit ishte Prengë Gegë Përgega, i derës së bajraktarit të Kryezezit, mbaruar gjimnazin e Shkodrës, ish-inspektor për katër vite i Ministrisë së Arsimit, i cili do të dënohej nga regjimi komunist, teksa të gjithë njerëzit e shtëpisë së tij do të përfundonin në internim në Tepelenë. Rrësheni, përveç zyrave të komunës, xhandarmërisë, pyjeve e të tjerë kishte dhe 4-5 dyqane (dugajë) dhe e përshkonte rruga e makinës që shkonte për Burrel. Ai ishte nisur për t’u bërë qytet dhe shkolla ishte ndër treguesit kryesorë si i tillë, e cila në vitin 1947 bëhet shkollë 7-vjeçare (nga viti 1952 me konvikt) dhe në vitin 1960 gjimnaz. Në vitet ’70 shkolla e Rrëshenit, tashmë 8-vjeçare, do të merrte emrin “Pashko Vasa”. 115-vjetori i saj përkon me 55-vjetorin e gjimnazit.

Ndriçimi i historisë së shkollës shqipe qysh nga mesjeta nuk ka përfunduar. Përsa i përket historikut të arsimit në Mirditë, nga fillimet deri në vitin 1944, një meritë të veçantë ka historiani Simon Prendi. Falë tij është bërë e mundur panorama e shkollës në këtë trevë në gjysmën e parë të shekullit XX.

Literatura:
Frano Illia, “Famullia e Milotit”, 2006.

Karl Steinmetz, “Nga Adriatiku në Drin të Zi”, Instituti i Historisë, material i daktilografuar.

Zef Mark Harapi”, “Arsimi në Mirditë”, Hylli i Dritës, nr. 11, 1931.

Jahja Drançolli, Kontributi i klerit katolik dhe Kongresi i Manastirit (pjesa e dytë), maj 2014.

Simon Prendi, Historia e arsimit në Mirditë, Tiranë 2014.

Kliko ne kete link: Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Dhjetor 2015