Është përkujtuar Dita e Dëshmorëve në Mirditë përmes një veprimtarie të organizuar nga Bashkia Mirditë dhe Komiteti i Veteranëve.
Qindra pjesëtarë të Komitetit të Veteranëve, veteranë dhe pasardhës, pjesëtarë dhe të afërm të familjeve të dëshmorëvë të Luftës Nacional-Çlirimtare të krahinës, u mblodhën tek varrezat e dëshmorëve në Rrëshen, për të nderuar kujtimin e të rënëve për liri dhe pavarësi.
Të pranishmit nderuan në heshtje përmes Himnit të Flamurit, dhe më pas vendosen buqeta dhe kurora me lule në varret e të rënëve për liri.
Kurora me lule vendosën me këtë rast edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve znj. Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj, përfaqësues të prefekturës dhe të arsimit etj.
Z. Nikoll LL. Ndreca, përfaqësues i familjes së Dëshmorëve në Mirditë, falenderoi të pranishmit për këtë nderim që u bëhet të rënëve, duke sjellë në vëmendje kontributetet e Heronjve dhe dëshmorëve përgjatë Luftës. Dhe në këtë fitore të madhe ndaj nazizmit patën kontributin e tyre qindra mirditorë të thjeshtë që ishin pjesë e formacioneve luftarake, por dhe ushtarakë të përmendur dhe gjeneralë që udhehoqën brigada me emër në luftë.
Ndër të tjera përfaqësuesi i Veteranëve dhe Familjevë të dëshmorëve, falenderoi kryebashkiakun Dedaj për kujdesin dhe vëmendjen e treguar ndaj kësaj organizate, veteranëve dhe pasardhësve për të fuknsionuar më mirë dhe për t’u bërë pjesë e kontributeve komunitare por dhe punët që po bëhen për transformimin rrënjësor urban, social dhe ekonomik të Mirditës.
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Znj. Lindita Nikolla, tha se sot po nderojmë ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë për të ardhmen e vendit, jetën e tyre, duke na rreshtuar në anën e duhur të Europës demokratike. “Sot vlen shumë më tepër se kurrë për ta nderuar veprën e tyre sublime. Falenderime për kontributin e dhënë të dëshmorëve, vepra e së cilëve ka mundësuar një Shqipëri të lirë dhe të emancipuar.” u shpreh znj.Nikolla.
Në emër te qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, theksoi ajo, iu përcjell urimet më të mira në këtë ditë si dhe angazhimin e mëtejshëm në çuarjen përpara të vlerave të Luftës Nacional-Çlirimtare për transformimin e mëtejshëm të Mirditës dhe jo vetëm. Mirdita ka luftuar jo vetem për liri por edhe për emancipim. “Do të ecim përpara me shumë përkushtim për Mirditën dhe Shqipërinë që duam. Kemi bërë shumë, por kemi ende shumë për të bërë.” shtoi znj.Ministre.
Pas nderimit tek varrezat e dëshmorëve, ministrja Nikolla dhe kryebashkiaku Dedaj, bënë vizita në familjet e dëshmorëve dhë të rënëve për liri. Vizitën e parë ata e bënë tek familja e Dod Gjetës, ku u përkujtu dhe Lufta e Gëziqit, si një nga ngjarjet më kulmore të Luftës kundër nazizmit në Shqipëri, e ku dihet historikisht se në këtë fshat gjemranët masakruan 13 banorë të fshatit, gra dhe burra.
Vizita tjetër u shënua në familjen e Bardhok Bibës, ku ata u pritën nga e bija e heroit të Popullit, Marie Biba dhe pasardhësit e saj. Ministrja Nikolla theksoi se figura të tilla si e Heroit të Popullit Bardhok Biba, i bëjnë nder Kombit për kontributin e tij të pamatë në vitet e para të Çlirimit, për atë vepër të të ndritshme që ai bëri si në Luftë dhe më tej, por edhe për shuarjen e gjakmarrjes në Mirditë, vepër që mbetet për t’u ndjekur sot e asaj dite.
Ndër të tjera kryebashkiaku Z.Ndrec Dedaj, theksoi faktin se bashkia që ai drejton, krahas punëve në shërbimet ndaj qytetarëve apo infrastrukturë etj, po fokusohet edhe në vlerësimin e duhur të figurave të tilla të ndritura siç është ajo e Bardhok Bibës, ndaj në të ardhmen do të punohet për vënien në vendin e merituar, si një nga personalitetet me kontribute të jashtëzakonshme në Mirditë në shumë plane dhe një nga figurat ku konvergojnë cilësitë më të mira të njeriut vizionarë dhe drejtuesit human të një epoke.
Në një kafe miqësore që kryebashkiaku Dedaj dha me këtë rast për të pranishmit në këto homazhe, u premtoi atyre se një nga projektet e ardhshme do të jetë dhe për përmirësimin rrënjësor të vendit ku prehen dëshmorët dhe heronjtë e Luftës, për një projekt të ri të denjë për ta, Varrezat e Dëshmorëve të Mirditës.

1
2
3
5
7
8
10