Policia e bashkisë dhe e komunës ka për detyrë:

  • Të sigurojë zbatimin efektiv të urdhërave të nxjerra nga kryetari i bashkisë (komunës) dhe të  vendimeve  të  këshillit  që kanë  të  bëjnë  me  sigurimin  e rendit e të qetësisë dhe mbarëvajtjen e punëve publike.
  • Të marrë masa për ruajtjen  e  pasurisë  së  bashkisë  apo  të komunës si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.
  • Të sigurojë zbatimin e urdhrave të nxjerra nga kryetari i bashkisë (komunës) në lidhje me personat juridikë ose fizikë, që nuk plotësojnë konform ligjit detyrimet financiare e fiskale, ndaj bashkisë apo komunës, si dhe  çdo  detyrim  tjetër  pasuror ndaj tyre.
  • Të mbikëqyrë e verifikojë nëse shtetasit në administrim të pasurisë së tyre, zbatojnë ose plotësojnë kërkesat e akteve bashkiake.
  • Të konstatojë e të parandalojë ndotjet e mjedisit, hedhjet e mbeturinave të ndryshme, si dhe të sinjalizojë kryetarin e bashkisë (komunës) për shfaqjet e parazitëve të dëmshëm e të rrezikshëm si dhe për rastet e shfaqjes së epidemive.
  • Të ndalojë, shmangë e prishë ndërtimet e paligjshme,  të ndalojë  zëniet  e paligjshme  të trojeve  dhe të ndërtesave e objekteve publike të bashkisë apo komunës  si dhe të organizojë lirimin e tyre.
  • Të kujdeset për qetësinë publike, duke shmangur zëniet, mënjanuar zhurmat e shkaktuara nga grumbullimet e njerëzve, autoparlantet e radio ve e magnetofoneve, rënia pa vend e burive të automjeteve në rrugë, banesa, plazhe e mjedise të tjera publike, që sjellin shqetësime për të tjerët.
  • Të marrë masa për ruajtjen e rendit, kur ka grumbullime njerëzish, si në tregje, panaire, ceremoni publice, artistike,fetare e sportive, në kinema, teatro, pallate e salla sportive, objekte të kultit dhe në mjedise të tjera publike.
  • Të inspektojë tregjet, të kontrollojë zënien e vendeve për tregti ambulante, të verifikojë pajisjen me licensë të tregtarëve dhe personave të tjerë që merren me veprimtari shitblerje, me tregtimin e pijeve alkoolike, objekteve me vlera artistike e kombëtare, të lëndëve djegëse, të  kontrollojë respektimin  e  masës, peshës dhe çmimin e shitjes.
  • Të kujdeset për respektimin e orarit të shërbimit të njësive tregtare, bufeve, restorante ve, bilardove, lojrave  të fatit e të objekteve të tjera me veprimtari publike,   si dhe për zbatimin nga ana e tyre të rregulloreve apo urdhërave të nxjerra nga kryetari i bashkisë apo komunës.
  • Të kontrollojë marrjen e masave të sigurisë që parandalojnë fatkeqësitë e ndryshme natyrore si dhe të ndihmojë në kapërcimin e tyre duke u dhënë gjithashtu ndihmë të dëmtuarve në raste urgjence.
  • Të marrë masa të përkohshme ndaj të sëmurëve psikikë në gjendje të rëndë, që krijojnë shqetësime për rendin publik.
  • Të kujdeset për  ruajtjen  e  afisheve,  njoftimeve  e shpalljeve publike si dhe heqjen e atyre të paligjshme ose të paautorizuara.
  • Të kontrollojë e të marrë masa për  zbatimin  e rregulloreve, urdhërave e udhëzimeve të lëshuara nga kryetari I bashkisë apo i komunës për probleme që lidhen me zbatimin e këtij ligji.