Kryeministri Edi Rama vizitë në Mirditë

Kryeministri z. Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Mirditë. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë z.Ndrec Dedaj dhe Ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla, shefi i qeverisë inspektoi mjediset e minierës së re të bakrit në Spaç dhe fabrikën e Pasurimit, që është në fazën e fundit përgatitore për fillimin e proçesit të pasurimit të mineralit të bakrit në këtë minierë.

Kryeministri u prit nga drejtuesit e kompanisë “Tete Albania”, me të cilët bisedoi për punimet e kryera deri më tani në këtë minierë dhe fabrikën e pasurimit. Ata u shprehën se është përfunduar pothuajse gjithë struktura e brendshme e minierës,e tashmë është gati të fillojë nga prodhimi si dhe është në përfundim të instalimit të makinerive të fabrikës së pasurimit të bakrit në Spaç, një investim ky, i cili vetëm në fazën e parë, ka kushtuar mbi 11 milionë dollarë.

Sipas projektit, fabrika ku do të punësohen mbi 300 vetë pritet të fillojë nga puna në shkurt ose mars të këtij viti për të pasuruar bakrin e nxjerrë nga miniera pranë ish-burgut.

Projekti i kompanisë parashikon që në minierën e Spaçit të prodhohen rreth 19.7 mijë ton koncentrat bakri në vit për dhjetë vitet e ardhshme. E gjithë kjo sasi bakri do të pasurohet në fabrikën e sapondërtuar, një proces, i cili rrit vlerën për eksport duke sjellë më shumë përfitime për ekonominë vendase.

Kryeministri u interesua për ndikimin mjedisor, duke marrë përgjigje nga drejtuesit e kompanisë se gjithçka është kryer në standartet europiane të ruajtjes së mjedisit dhe se teknologjia e sjellë këtu është nga më të avancuarat e fushës në gjithë Europën.

Të pyetur për punësimet, drejtuesit e “Tete Albania”, i kanë sqaruar Kryeministrit se shumica e punëtorëve është marrë nga zona, por përbën problem fakti i mungesës së specialistëve të mirëfilltë për punimet në nëntokë dhe në fabrikë, ndaj jo pak specialistë kanë ardhur nga Elbasani apo rajone të tjera.

Kryeministri Rama shtoi se kjo është arsyeja pse gjithnjë është thënë se na duhen specialistë të rinj, dhe për këtë gjë ai nxiti drejtuesit e minierës dhe bashkinë Mirditë të bashkëpunojnë mes tyre për përgatitjet profesionale duke shfrytëzuar dhe shkollat profesionale për degë të sektorit minerar. “Do ishte e udhës që të bashkëpunoni me shkollën profesionale që kemi hapur enkas për këtë gjë në Bulqizë, në mënyrë që të ecet paralelisht me shkollimin dhe punësimin në dy gjysmat e javës.” vijoi më tej shefi i qeverisë.

Lidhur me kushtet e punës, drejtuesit e kompanisë u shprehën se janë krijuar kushte maksimale dhe siguri e plotë në punë, deri më tani pa asnjë lloj aksidenti si dhe kanë punuar në aspektin social për komunitetet afër minierës ku ata operojnë. Ndërsa pagesat janë më larta se standartet  shqiptare. Insistimit të Kryeministrit për shumën e pagesës, ata iu përgjigjen se që nga punëtori më i thjeshtë, e kalon shifrën e 500 dollarëve.

Kryeministri falenderoi drejtuesit dhe specialistët për punën e bërë, duke u shprehur se kompanitë serioze që sjellin rentabilitet ekonomik dhe punësime  do të mbështeten nga qeveria shqiptare dhe do të nxiten në iniciativat e tyre. Kjo përkonte dhe me faktin se në spjegimet teknike, që u dhanë nga inxhinierë të kësaj miniere, bëhet fjalë dhe për synimet e kësaj kompanie për t’u shtrirë me investime e punime edhe në minierat rreth e rrotull si Majë e Madhe, Gurth Spaç  dhe Munellë  apo disa zona të tjera me trupa minerali më të vogël në sasi, nga ku mendohet që minerali të merret me makina transportuese për tek kjo fabrikë, ndërsa synimit të tyre edhe për minierën e Përlatit në të ardhmen, lidhet dhe me një fabrikë të re pasurimi, që do të duhej atje.

Më pas Kryeministri Rama vizitoi mjediset e fabrikës, ku u njoh me gjithë punën, që do të nisë aty, teknologjinë e përdorur dhe kushtet e punës së punëtorëve dhe minatorëve.

  1. Rama, më tej ka vizituar mjediset e Info-Kulla Mirdita në Rubik, një investim i Bashkisë Mirditë dhe Albania Austria Partnerschaft-Marianne Graf. Duke kaluar nëpër pavionet e kësaj kulle informacioni për Mirditë, Pukë dhe Mat, i impresionuar nga përmbajtja dhe forma e paraqitjes, ai ka theksuar se ky investim përbën një shembull për gjithë bashkitë e vendit.

“Tashmë ky informacion duhet të shkojë gjithandej dhe të jetë si një pikë qendërzuese, që përhapet në rrathë koncentrikë për të zhvilluar turizmin dhe agroturizmin në këto zona. Qeveria po i jep rëndësi të madhe agroturizmit”- tha ndër të tjera Kryeministri, – ndaj për këtë shërben dhe nisma jonë e re për “100 fshatrat urbanë”, e mbi të gjitha kjo ka nevojë dhe për institucione të tilla dinjitoze informimi.

Më tej Kryeministri Rama ka vizituar rrugën që lidh Autostradën me Domgjonin dhe është takuar me banorë të këtij fshati për të përmbyllur vizitën e plotë njëditore në Mirditë.

8
15
DSC06170
22
18